Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur për zgjedhjet në veri të vendit dhe dakordimin ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për tejkalimin e krizës në veri të vendit.
Kurti në një konferencë për media tha se tashmë Kosova dhe BE janë dakorduar për de-eskalimin e situatës dhe një dakordim i tillë duhet të zbatohet.
Ai tha se nuk beson që ndokush pret që pa u bë de-eskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri.
“Nuk besoj se ndokush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të kemi zgjedhjet në veri, por natyrisht se ne e vazhdojmë punën më tutje.
Jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri….”, tha Kurti.
I pari i Qeverisë së Kosovës duke folur për masat e BE-së tha se janë quajtur të përkohshme dhe të kthyeshme dhe natyrisht presin të hiqen sa më parë…
Kurti është pyetur edhe pse nuk po takon kryetarët e komunave në veri, gjersa i është referuar edhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi i cili kohë më parë pati takuar kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci dhe atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“…Mund t’i takojë por nuk e di sa është i këndshëm takimi me mua se kur takohen njerëzit me mua unë ju them shkoni në punë, jo mos shkoni… pra takimi me mua nuk është problemi a ka takim a s’ka takim, sepse kur të ec rroga duhet me shku në punë….
Këtu është ndoshta në lloj vështirësie, dhe dallimi me kryetarin e partisë që ka zhvilluar takim të këndshëm atje…”, tha Kurti.
Kurti më tej ka folur edhe për lirimin e serbëve të dyshuar për sulme në veri, duke thënë se nuk është i kënaqur në përgjithësi me punën e Prokurorisë.
Ndërkaq, duke folur për hetimet nga Task-forca antikorrupsion ndaj pesë ministrave të Qeverisë së tij, ai ka thënë se nuk është i informuar. /Telegrafi/