Sulmi kibernetik në Ministrinë e Financave, vonesa e marrjes së pagave në Trepçë, deklarimi i pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe shkarkimi i sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës ishin ngjarjet kryesore që e karakterizoi këtë javë.
Lidhur me sulmin kibernetik, Policia e Kosovës kishte thënë se ka pasur tentim hyrje në Sistemin Informativ të Tatimit në Pronë, përkatësisht në shërbimin për shtypjen e faturave.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me ditë më parë sipas mirëmbajtëseve të IT-së së institucionit, dyshohet se ka pasur tentim/hyrje në sistemin kompjuterik. Mirëmbajtësit e IT-së kanë arrit që ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe lidhur me këtë janë duke u kryer hetime nga njësitë kompetente”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës, shkruan Telegrafi.
Ndërsa, MF ka thënë se, siguron qytetarët se sulmi i tentuar nuk ka arritur të cenojë integritetin dhe sigurinë e sistemit.
Gjatë kësaj jave, minatorë e ndërrimit të parë dhe të dytë të minierës së Stan Tërgut dhe Artanës të kombinatit Trepça kishin hyrë në grevë të përgjithshme pasi që se nuk kishin marr pagën e muajit janar.
“Minatorët e ndërrimit të parë dhe të dytë të minierës së Stan Tërgut dhe Artanës kanë hyrë në grevë, për shkak që deri më sot nuk e kanë marr pagën e muajit janar. Jemi në pritje të marrjes të kësaj page. Ende nuk e dimë se kur do të del paga”, ka thënë për Telegrafin kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani.
Disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.
Kombinati Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.
Në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, nga data 1 mars deri më 31 mars, të gjithë zyrtarët e lartë publik janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK).
“Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 01/51, për respektimin e masave të përgjithshme dhe specifike nga pandemia COVID-19, rekomandimeve të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë do të behet nëpërmjet formës elektronike në e-mail adresën akk.deklarimi@rks-gov.net, ndërsa formularët e deklarimit të pasurisë duhet të dërgohen të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruse”, ka njoftuar AKK.
Po ashtu, një nga ngjarjet kryesore të javës ishte edhe lirimi nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.
MI-ja kishte njoftuar se ka pezulluar nga detyra Bytyqin dhe ndaj të njëjtit është iniciuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore.
Sipas MI-së, Bytyqi gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit, Nexhat Krasniqin duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës.
“Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Kosovës. Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Ministria e Infrastrukturës.
Nga lajmet botërore që karakterizuan ekonominë ishte miratimi nga ana e Senatit amerikan të paketës financiare prej 1.9 trilion dollarësh për ta ndihmuar vendin nga pasojat e pandemisë COVID-19.
Me 50 pro dhe 49 kundër, Senati ka miratuar planin përfundimtar që përfshin 400 miliardë dollarë në formë pagesash prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nga 300 dollarë në javë për 9.5 milionë njerëz që kanë humbur punën dhe 350 miliardë dollarë ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë mbetur me mangësi në buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.
Ky Projektligj, duhet të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi një version pak më të ndryshëm një javë më parë. /Telegrafi/