Në një ndeshje spektakolare në Anfield, Liverpooli e ka nënshtruar liderin e Ligës Premier, Manchester City, duke e mposhtur me rezultat 4-3.
Mjaftuan nëntë minuta lojë për t’u zhbllokuar rezultati. Alex Oxlade-Chamberlain krijoi hapësirë drejt kundërshtarëve të tij dhe lëshoi një goditje që u ndal në portën e Ederson.
Mysafirët ia dolën ta barazonin rezultatin para se skuadrat të shkonin në pushim. Leroy Sane pranoi një top në krahun e majtë, shkoi vetëm përpara dhe e mposhti portierin Loris Karius (40′).
Spektakli vazhdoi në gjysmën e dytë. Nicolas Otamendi, Oxlade-Chamberlain dhe Mohamed Salah patën rastet e tyre për skuadrat respektive.
Në minutën e 59-të, Oxlade-Chamberlain e gjeti për mrekulli Roberto Firminon, i cili e kishte vërejtur portierin Ederson se kishte dalë përpara dhe e paraboloi.
Menjëherë pas ishte në rast Sadio Mane, mirëpo goditja e tij u përplas në shtyllën e djathtë. Por, përpjekja e senegalezit u shpagua.
Salah e rikuperoi një top nga lojtarët e Cityt dhe asistoi te Mane, i cili me një goditje mbresëlënëse e shënoi golin e tretë të Redsave (61′).
Disa minuta më vonë erdhi momenti i Mohamed Salah. Një dalje e gabuar e portierit Ederson e dërgoi topin vetëm deri te egjiptiani, i cili shënoi një gol të bukur nga largësia (68′).
Në minutat e mbetura të takimit, City arriti të shënonte dy gola. Fillimisht Bernardo Silva (84′) dhe pastaj Ilkay Gundogan (90’+2) bënë që minutat e fundit të ishin dramatike.
Sidoqoftë, skuadra e Jurgen Klopp ia doli të mbahej në minutat e mbetura për të regjistruar këtë fitore të rëndësishme përballë lideri të kampionatit anglez.
Kjo është humbja e parë e Manchester Cityt në sezonin 2017/2018 pas 20 fitoreve dhe dy barazimeve. Megjithatë, ekipi i Pep Guardiolas është larg rivalëve me 62 pikë të arkëtuara deri më tani.
Liverpooli tash është ngritur në kuotën e 47 pikëve nga 13fitore, tetë barazime dhe dy humbje. Të Kuqtë mbajnë vendin e tretë në tabelë me pikë të barabarta me Chelsean (në vend të katërt) dhe Manchester Unitedin (në vend të dytë) që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=W5GVm3mN1_k
https://www.youtube.com/watch?v=c_nDsfJ3wMI
https://www.youtube.com/watch?v=ofpWqlWSGiU&t=2s
https://www.youtube.com/watch?v=BBrjNjlbR3A&t=9s
https://www.youtube.com/watch?v=E_x4bgYE3TI
https://www.youtube.com/watch?v=KJc-9i0zf6g
https://www.youtube.com/watch?v=5MsXlYhAJ08