Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, ka thënë se dyshja e përjashtuar, Phil Foden dhe Mason Greenwood, duhet ta rifitojnë besimin që të ftohen sërish te kombëtarja.
Futbollistët e rinj janë dërguar në shtëpi për shkak të shkeljes së protokolleve për mbrojtje nga coronavirusi në Islandë, kur i kishin ftuar dy femra në hotel.
Ata luajtën për herë të parë me përfaqësuesen në Reikjavik, mirëpo gjithçka përfundoi keq për ta, pasi i lejuan në dhomën e tyre dy femra dhe në këtë mënyrë shkelën rregullat e vendit nikoqir, dhe krahas gjobës së atjeshme, u larguan nga kombëtarja, derisa Federata Angleze e Futbollit ka nisur një hetim për rastin.
Pas barazimit pa gola ndaj Danimarkës në Ligën e Kombeve, Southgate ka pranuar se lojtari i Manchester Cityt dhe ai i Manchester Unitedit, duhet të përmirësohen shumë para se të marrin ftesën e radhës.
“Pasojat kanë ndodhur dhe tash ata kanë nevojë për mbështetje. Të gjithë po iu hidhen atyre. Ata kanë nevojë për ndihmë që të rikthehen”. Duhet t’i kenë të qarta se cilat janë pritshmëritë e të qenit lojtar i Anglisë”.
“Ne duhet t’u ndihmojmë në këtë proces. Duhet ta fitojmë besimin dhe duhet t’u ndihmojmë të rinjve që të kthehen në këmbë”, ka deklaruar Southgate për Sky Sports. /Telegrafi/