Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme (e diel) ndaj Kombëtares së Shqipërisë e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës “Katar 2022”.
Ekipi i ‘Tre Luanëve’ do të zbresë në fushë të dielën në orën 18:00 në “Air Albania” kundër Shqipërisë, pa disa prej lojtarëve më të mirë, siç janë Marcus Rashford, Bukayo Saka, por edhe Jordan Henderson.
Megjithatë, trajneri Southgate në konferencën para duelit ndaj kuqezinjve nuk u shfaq shumë i shqetësuar, sepse alternativat që ai ka janë të afta të mbulojnë çdo mungesë.
Trajneri i Anglisë foli edhe për ekipin kombëtar shqiptar, duke i vlerësuar lartë kuqezinjtë, ndërsa përmendi edhe disa lojtarë që pritet të jenë titullarë.
“Padyshim që do të jetë një provë më e ashpër. Ata janë një ekip i stërvitur mirë, me një trajner italian me shumë përvojë, dhe ju mund të shihni detajet në mënyrën se si ata luajnë”, ka thënë fillimisht Southgate në konferencë.
“Ne do të duhet të shohim nëse ata përshtaten me ne, por ata luajnë mirë me topin dhe janë të organizuar mirë në mbrojtje, ata janë të organizuar mirë në vendosjen e tyre. Pra, si gjithmonë, ne duhet të jemi në maksimumin tonë për të fituar ndeshjen”.
Ka gjithashtu pyetje në lidhje me cilësinë e fushës në stadiumin 22,500 vendesh, por Southgate nuk ka shqetësime për asnjërën çështje.
Join us live as @HarryMaguire93 and Gareth Southgate preview the #ThreeLions’ clash with Albania! https://t.co/Tug7zCynQW
— England (@England) March 27, 2021
“Jo, sa herë që udhëton diku nëpër Evropë tani, stadiumet janë të mira. E di që ata kanë pasur disa probleme me terrenin, siç bëmë kur u hap për herë të parë Wembley, por gjithashtu e di se kanë bërë shumë punë për këtë, kështu që jam i sigurt se do të jetë më mirë se sa ishte për ndeshjet kur stadiumi sapo u hap”.
“Mason Mount dhe Declan Rice mund të jenë dyshja e mesfushës kundër Shqipërisë, ata bënë një paraqitje shumë të mirë kur luajtën së bashku ndaj Islandës. Nuk është fiks pozicioni që Mount luan me skuadrën e tij, por besoj se është i aftë të luajë thellë. Ai mund të luajë si një numër 4, si 8, por edhe si 10-sh. Po ashtu edhe Ward-Prose bëri mirë ndaj San Marinos, edhe Kalvin Phillips është në formë të mirë, kështu që nuk jam i shqetësuar aspak”.
“Është një zonë në fushë ku ne kemi filluar të marrim disa opsione. Ka qenë shumë mirë që edhe Jude Bellingham të jetë me ne. Si pothuajse çdo pozicion në fushë, ne kemi shumë konkurrencë për vendet”.
“Foden është thjesht një lojtar shumë i mirë; shumë entuziazmues, një lojtar që është inteligjent në pozicionimin e tij. Ai ka aftësi për të marrë topin nën presion dhe për të dribloj lojtarët me kontrollin e tij”.
“Ai ka një gamë të bukur pasimesh. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është se ai ka një sy të mirë për golin dhe një uri për të shënuar”.
“Rashfordin e kemi pasur vetëm për një ndeshje e gjysmë nga shtatori deri më tani, kështu që mungesa e tij ka qenë një mundësi më tepër për të tjerët”.
“Ne kemi parë rikthimin e Jesse Lingard. Kemi pak mundësi për të rifreskuar ekipin, por lojtarët sulmues janë shumë entuziazmues. Ata janë në formë dhe mezi po pres t’i fusë në lojë përsëri”.
Southgate u shpreh i shqetësuar për gjendjen e Jordan Henderson teksa konfirmoi titullar portierin Nick Pope, pas mungesës së Jordan Pickford shkaku i dëmtimit.
“Dëmtimi i Hendersonit është në një periudhë delikate sepse nuk ka mbetur edhe shumë nga Evropiani. Të shohim si do të vijojë rikuperimi i tij. E di që ai do të bëjë gjithçka për të qenë në Evropian, por duhet të marrin në konsideratë edhe numrin e paktë të ndeshjeve që eventualisht do të luajë pas dëmtimit. Jordan, gjithsesi, është optimist që mund t’ia dalë”.
“Sa i përket Nick Pope, ai do të vijojë të jetë titullar, e ka pritur këtë shans dhe mendoj se e meriton”, përfundoi trajneri i Anglisë. /Telegrafi/