Trajneri i njohur kosovar, Armend Dallku, i cili ka qenë edhe reprezentues i Shqipërisë për shumë vite gjatë kohës sa ishte futbollistë aktiv, ka folur në një podcast për Telegrafin rreth paraqitjes së kombëtares kuqezi në Euro 2024 dhe ka treguar se çfarë do të kishte bërë ndryshe nga Sylvinho.
Kombëtarja e Shqipërisë mbylli aventurën në Kampionatin Evropian, duke përfunduar e katërta në Grupin B, me vetëm një pikë.
Kuqezinjtë në tri ndeshjet e grupeve humben nga Italia me rezultat 2-1, barazuan 2-2 me Kroacinë dhe në fund u mposhten 1-0 nga Spanja.
Por, çfarë mendimi ka Dallku rreth paraqitjes së Shqipërisë në Euro 2024 dhe çfarë do të bënte ndryshe nga trajneri Sylvinho?
Dallku në një podcast për Telegrafin e ka vlerësuar si pozitive aventurën e Shqipërisë në Euro 2024, edhe pse mendon se përvoja i penalizoi të merrnin më shumë pikë.
Në anën tjetër, trajneri vushtrrias ka shtuar se për dallim nga Sylvinho, ku ndoshta do të luante paksa me skemat, kur dihet se turnetë nuk janë sikurse kampionatet vendore.
“Rrugëtimi ka qenë shumë i mirë, shumë pozitiv, pasi është vetëm hera e dytë. Është eksperiencë e jashtëzakonshme, për federatën, organizimin, lojtarët dhe trajnerin. Futë këtu që ka qenë grupi i ferrit për neve, për fat të keq, por mendoj se kemi bo ndeshje shumë pozitive”.
“Diçka ndryshe? Për mendimin tim, Sylvinho është dashur të luante pak me skemën, pasi nëse je në kampionat kombëtar duhet mi besuar skemës, por në turne si ky duhet me variu pak me skemën. Ndoshta të luante me një formacion 3-5-2, t’u e pas parasysh që lojtarët tonë iu përshtaten skemës kur dihet se shumica luajnë ne Itali me këtë sistem. Mirëpo trajneri e ka mendimin e vet dhe të gjitha ndeshjet i fillon dhe i përfundon me skemën e njejtë”, ka thënë ndër tjerash Dallku.
Më poshtë mund ta ndiqni të gjithë bashkëbisedimin e Armend Dallkut me dy gazetarët e Telegrafit, Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri. /Telegrafi/