Joan Laporta ka deklaruar se ai beson plotësisht se Barcelona mund të sigurojë titullin e këtij sezoni në La Liga, nëse ata ruajnë formën e tyre aktuale.
Presidenti i klubit katalunas diskutoi formën aktuale të skuadrës dhe një sërë temash të tjera në një intervistë në radio të hënën mbrëma dhe ai reflektoi mbi garën për titull, me skuadrën e tij aktualisht 12 pikë prapa, por me një lojë më pak.
“Unë nuk jam gati të pranoj vetëm fitimin e Ligës së Evropës dhe vendin e dytë në La Liga Santander”, deklaroi ai në atë intervistë me RAC1.
“Dua të fitoj La Ligën. Unë besoj vërtet në të, ne kemi ekipin për ta fituar atë dhe kemi arritur në fazën finale duke luajtur mirë”.
“Ekipi po punon mirë dhe ata besojnë edhe më shumë se unë se ne mund të fitojmë La Ligën. Nëse vazhdojmë kështu, do të jemi kampionë”, ka shtuar më tej ai.
Laporta gjithashtu deklaroi se nuk ka plane për një rikthim në Camp Nou për Lionel Messin.
“Nuk kam marrë asnjë mesazh nga Leo (Messi) apo nga rrethi i tij i ngushtë për t’u kthyer në Barcelonë ”, shtoi presidenti i Blugranasëve.
“Nuk po e konsiderojmë, po ndërtojmë një ekip të ri, me njerëz të rinj, bashkë me ekspertë të fushës, ka simbiozë. Por, Leo është Leo. Lojtari më i mirë në botë, fituesi i Topit të Artë”.
“Nuk është një hap prapa. Ne nuk po e konsiderojmë atë, por ai meriton respekt”, potencoi më tej ai.
Presidenti i Barcelonës komentoi situatën e kontratës së Ousmane Dembele dhe deklaroi se nuk është më afër zgjidhjes.
“Më pëlqen (Dembele) shumë”, deklaroi ai. “Ai është një lojtar fantastik, por situata e tij është e ngjashme me atë të Sergi Robertos. Edhe pse ne e pëlqejmë atë dhe si luan, ka kufizime në paga”.
“Me agjentin e tij, askush nuk e di. Ai është një kuti me surpriza”.
Laporta deklaroi gjithashtu se projekti i Superligës Evropiane është larg nga përfundimit.
“Marrëdhënia me Florentino (Perez) është e përzemërt dhe civile”, bëri të ditur kreu i Barcelonës. “Jemi në kontakt për Superligën dhe projekti vazhdon. Besoj se do të ketë një dialog konstruktiv me UEFA-n”.
Real Madridi është lider aktualisht në La Liga me 66 pikë, Sevilla është në të dytin me 57, tre më shumë se Barcelona në të tretin dhe Atletico Madridi që e mbyllë top katërshen me të njëjtat pikë si katalunasit. /Telegrafi/