Site icon Telegrafi

Selimi: Kjo është qeveri e Thaçit, jo e popullit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se kjo qeveri është e Hashim Thaçit dhe jo e popullit.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka mashtruar qytetarët dhe LVV-në si partnerë të koalicionit.

“Ajo që ju po tentoni ta votoni, nuk është qeveria Hoti por as siç thuhet Qeveria Thaçi 3, por është Qeveria e Thaçit…Kjo qeveri do t’i shërbej atij vetëm për legjitimimin  e ndarjes së Kosovës dhe që të përfitoj nga kjo qeveri edhe për një mandat si president”, tha Selimi.

“Mocioni i mos-besimit ishte i planifikuar dhe realizuar që t’i hapin rrugë një marrëveshje të fshehtë që po pret diku në sirtarët e Thaçit e të Vuçiqit. Nëse guxon dikush të thotë të kundërtën, ju keni marrë guximin të mashtroni edhe njëherë qytetarët e Kosovës. I dimë mirë qëllimet tuaja. Qëllimet i keni të cekëta, por të rrezikshme”, tha Selimi.

Selimi më tej tha se seanca e thirrur për të bërë një qeveri të re është edhe një tentativë për ta çuar përpara procesin për ta grabitur fitoren e qytetarëve të Kosovës, për të zhbërë verdiktin e sovranit të 6 tetorit.

“Ne sot kemi përballë ata që duan të bëjnë Qeverinë pa fituesin dhe pa qytetarin”, tha Selimi.

“Në radhë të parë ju mashtruar qytetarin ndërsa na ka mashtruar edhe ne si partner të koalicionit”, tha Selimi.

Në fund, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se ata do të jenë në Kuvend e në sheh, kudo që i kërkojnë qytetarët.

“Ne duam zgjedhje të parakohshme që shprehet me vullnetin e peticionit. Ne po kthehemi te qytetarët, ju rrini nën mbrojtjen e Thaçit. Ne do të jemi kudo, në Kuvend e në shesh. Kudo që të na kërkoj nevoja dhe kudo që do të na kërkojnë qytetarët”, tha Selimi. /Telegrafi/

Exit mobile version