Telegrafi

Sekuestrohen edhe 20 pajisje të paligjshme të kriptovalutave në veri të Kosovës

Policia ka sekuestruar edhe 20 pajisje të paligjshme për mihje të kriptovalutave në veri të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke shtuar se këto dhe zhvillime në këtë pjesë të vendit nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike.

“Një tjetër aktivitet i paligjshëm i kripto-minierave u ndalua sot nga Policia e Kosovës. Sekuestrohen 20 pajisje. Këto dhe zhvillime të ngjashme në komunat veriore nuk kanë të bëjnë fare me marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë siç duan të paraqesin disa. Është një çështje e sundimit të ligjit kundër aktiviteteve të paligjshme”, ka njoftuar Rizvanolli në Twitter.

Po ashtu, gjatë ditës së premte janë sekuestruar 174 pajisje të paligjshme për prodhimin e kriptovalutave në Zubin Potok.

Në janar të vitit 2022, Qeveria e Kosovës mori vendim që të anulojë veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë në të cilën ndodhej vendi.

Lexo po ashtu Policia sekuestron 174 pajisje të kriptovalutave në veri

Edhe më herët, zyrtarët policorë kishin kryer aksione të ngjashme në rajone të ndryshme të Kosovës, duke konfiskuar pajisje për kriptovaluta. /Telegrafi/