Legjenda e futbollit, Roberto Carlos ka zgjedhur 11-shen e tij më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve përpara finales së sotme (e shtunë) mes ish-klubit të tij, Real Madridit dhe Liverpoolit.
Dyshja e gjigantëve evropianë takohen mes vete në Stade de France në Paris me fillim nga ora 21:00, në një përsëritje të shfaqjes që u zhvillua katër vjet më parë në Kiev.
Ikona braziliane Carlos, që konsiderohet gjerësisht si mbrojtësi i majtë më i mirë i të gjitha kohërave, fitoi Ligën e Kampionëve tre herë me Real Madridin në vitin 1998, 2000 dhe 2002.
Kështu faqja sportive SPORTbible e intervistoi ish-mbrojtësin e Interit dhe Fenerbahces dhe i kërkoi të zgjidhte 11-shen e tij përfundimtare me lojtarët që kanë dominuar garën kryesore të klubeve të futbollit evropian.
Carlos nuk hezitoi ta bëjë këtë dhe formoi një formacion 4-3-3 të mbushur me yje, teksa disa nga zgjidhjet e tij mund të duken edhe befasuese.
Në portë, Carlos zgjodhi Iker Casillasin, ndërsa në mbrojtje Cafun, Fernando Hierron, Fabio Cannavaron dhe Marcelon.
Mesfusha e zgjedhur nga Carlos përbehet nga Fernando Redondo dhe Casemiro, ndërsa Zinedine Zidane është paksa më i avancuar.
Në sulm, legjenda braziliane ka zgjedhur emra si Francesco Totti, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.
“Është shumë e vështirë të bësh 11-shen sepse ka kaq shumë lojtarë të mrekullueshëm që më është dashur të lë jashtë – Lionel Messi, Neymar dhe Vinicius Jr”.
“Mendoj se do të humbnim sepse askush në ekipin tim nuk mbrohet vërtet! Më pëlqen futbolli me shumë gola!”, ka thënë Carlos pasi ka përmbledhur skuadrën e tij. /Telegrafi/