Statusi i këngëtares shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, në rrjetin social Twitter është bërë viral gjithandej.
Ajo u kërkonte hapur tri shqiptareve të famshme: Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max një bashkëpunim, dhe duket se ka marrë një konfirmim nga të treja.
Ishte fillimisht Dua Lipa, ajo e cila reagoi e para duke shkruar në gjuhën shqip një koment “Hajde shqipe”.
https://twitter.com/DUALIPA/status/1090257364345794560
Me këtë ajo ka lënë të kuptohet se ka qenë pro këtij bashkëpunimi, teksa nuk ka munguar më pas edhe një koment tjetër pro, nga shqiptarja tjetër që po ngjitet drejt majave të suksesit, Ava Max.
“Një ‘Lady Marmalade’ e re”, ka shkruar Amanda në komentin e saj në postimin e Bebes duke e shoqëruar me simbole kuqezi të zemrës.
New lady marmalade 🖤❤️🖤❤️
— AVA MAX (@AvaMax) January 28, 2019
Me këtë ajo iu referua hitit të famshëm “Lady Marmalade”, të kënduar nga Christina Aguilera, Mya, Pink dhe Lil’ Kim.
E duket se vulën përfundimtare për një përgjigje pozitive, e dha ajo që të gjithë po e prisnim – Rita Ora.
Kjo e fundit, ka komentuar në një fotografi të publikuar nga një faqe fansash me emrin “Ritasmax” (Fansat e Ritës dhe Ava Max), ku shfaqej statusi publik i Bebe Rexhës referuar kërkesës për bashkëpunim.
“Jam pro…I respektoj të gjitha këto femra”, ka shkruar Rita Ora në komentin e saj, në rrjetin social Instagram.
Përndryshe, Rita Ora është artistja e parë shqiptare që theu kufijtë, duke u bërë pjesë e tregut internacional, në të cilin debutoi në vitin 2012.
Duke qenë se ka plot katër miratime rreth këtij bashkëpunimi të mundshëm, mbetet të shihet nëse vajzat e famshme shqiptare vërtet do t’i futen punës për realizimin e një bashkëpunimi të tillë. /Telegrafi/