Rita Ora përsëri ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë pjesëmarrjes në gala mbrëmjen ‘Pre-Grammy’ të Clive Davis në qytetin e New Yorkut.
Shqiptarja e famshme kishte zgjedhur të rikthente stilin e viteve të njëzeta, me një fustan të bardhë, vende-vende transparent.
Kjo ka bërë që ajo të përfolet në faqet rozë të mediave kryesore botërore, duke qenë se Rita vazhdimisht guxon që të bëjë zgjedhje interesante për të veshur gjatë parakalimit në tepih të kuq.
Në këtë eveniment ishte e pranishme edhe këngëtarja tjetër shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila është kujdesur që të tërheqë vëmendjen e fotoreporterëve dhe të pranishmëve në gala mbrëmjen e të famshmëve.
Kantautorja e njohur nuk i ka lënë shumë imagjinatës me fustanin që kishte zgjedhur të vishte, i cili ishte i gjatë, por edhe i tejdukshëm.
Dy shqiptaret e njohura në gjithë botën, janë takuar në këtë eveniment dhe kanë vendosur të pozojnë së bashku para fotografëve.
Të dyja dukeshin bukur, ndërsa në një pozë atyre iu është bashkuar edhe modelja e njohur, Winnie Harlow. /Telegrafi/