Site icon Telegrafi

Rimëkëmbja ekonomike, pensionet, grevat dhe kriptovalutat – përmbledhje nga intervista e ministrit Murati

Në një intervistë në emisionin “Përballje” ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur për vendimet e fundit që kanë të bëjnë në fushën e përgjegjësinë e ministrisë së tij.

Murati ka treguar detaje nga vendimi për rritjen e pensioneve në disa kategori vendi, për kritikat e opozitës dhe ekspertëve të fushës për vonesa në pakot e ringjalljes ekonomike.

Gjithashtu ka treguar detaje për vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të mihjeve të kriptovalutave në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni përmbledhjen e intervistës: 

Rritja e pensioneve dhe pagesa e tyre në mes të muajit, ministri Murati tregon si erdhën deri te këto vendime

Ministri Murati tregoi se të gjitha pensionet bazë të cilat Qeveria e Kosovës vendosi t’i rris në 100 euro paguhen nga buxheti i shtetit të cilat Kosovës për një vit i kushtojnë 25 milionë euro.

11 për qind janë rritur pensionet për kategoritë të cilat i kanë marrë nga 90 euro pension, ndërkaq, siç theksoi Murati pensioni për persona me aftësi të kufizuara që i kanë marrë nga 75 euro, rritja është 33 për qind.

Lexo po ashtu Rritja e pensioneve dhe pagesa e tyre në mes të muajit, ministri Murati tregon si erdhën deri te këto vendime

“Për nivelin individual, 10 euro mund të duken të vogla, për buxhetin kostoja vjetore është 25 milionë euro, për këtë rritje që është bërë miratuar”, tha Murati.

Ai ka theksuar se deri tek ky vendim kanë ardhur, pasi e kanë parë të nevojshme një gjë të tillë, pasi ishte miratuar si masë e përkohshme gjatë pandemisë.

“Vendimi ka ardhur, pasi fillimisht është miratuar si masë e përkohshme në pandemi dhe e kemi parë që është e nevojshme. Në nëntor të vitit të kaluar, e kemi bërë një rritje për një muaj. “Po të ishin mundësitë shumë do të ishte edhe më e madhe, e synimi është që të arrijmë eventualisht aty. Por, ne po flasim për diçka që ka ndodh ende pa i bë një vjet kjo Qeveri. Brenda mundësive buxhetore që kemi krijuar, kemi arritur që së paku për këto familje që kanë nevojë të bëjmë rritje”, theksoi ministri i Financave.

Ndërkaq bartja e pagesës, nga fundi i muajit, për në mes të muajit Murati tha se është bërë për të lehtësuar likuiditetin financiar.

“Arsyeja është që pak e shumë të lehtësohet menaxhimi i likuiditetit familjar. Nëse në një familje jetojnë tri gjenerata, mund të ketë një këst kredie që duhet ta paguaj në fillim të muajit dhe sapo të del paga e merr një pjesë banka, atëherë detyrohet që gjatë tërë muajit, 20 ditët e para të kalojë ndoshta më lehtë, 10 ditë të fundit janë më të vështirat. Në mënyrë që të bëhet kjo lidhja, nga fillimi, deri në fund të muajit, meqë siç thashë është një pjesë e konsiderueshme që marrin pensionet, të afrohet në mes të muajit, që të zihet hapi”, u shpreh Murati.

Po ashtu, ndër të tjera Murati ka thënë se grafikoni që është paraqitur në krahasim me vendet e rajonit për shumën e pensioneve që e vendos Kosovën me pensionet më të ulëta nuk është i saktë.

Ai tha se në grafikonin e paraqitur, pensionet e shteteve të rajonit janë pensione kontribut dhënëse, për çka Kosova paguan rreth 180 euro, për personat që kanë 15 vite punë kontribut dhënëse. Ndërkaq në të njëjtin grafikon është krahasuar pensioni bazë i Kosovës me pensione kontributdhënëse të vendeve të rajonit.

“Nëse e krahason me presionin bazik, mund të duket se është më i ulët, por është një çështje tjetër që u është bërë padrejtësi, sepse dikush me 14 vite e i merr vetëm 100 euro. E ka dikush që nuk ka punuar fare, e prapë i merr 100 euro”, theksoi Murati.

Duhet ndryshuar sistemi tarifor, nuk mund të shfrytëzohet çmimi i energjisë si për të zier ushqim si për kriptovaluta

Ministri Murati ka thënë se janë duke parë alternativa tjera, si do të rregullohet çështja e mihjes së kriptovalutave në Kosovë.

Murati theksoi se janë duke menduar një zgjidhje afatgjatë, sepse nuk mund të shfrytëzohet çmimi i energjisë elektrike si për amvisëri, si për pajisje të kriptovalutave që për dikë është profitabile.

Lexo po ashtu Murati: Duhet ndryshuar sistemi tarifor, nuk mund të shfrytëzohet çmimi i energjisë si për të zier ushqim si për kriptovaluta

“Vendimi është i përkohshëm, por megjithatë unë mendoj se duhet ta mendojmë në afatgjatë ne këtë çështje. Duke e shfrytëzuar çmimin e energjisë elektrike që është i paraparë për amvisëri për t’i përmbushur nevojat bazike për ta ngrohur ambientin, apo për të zier ushqim, e ta shfrytëzojmë për dikë që është profitabile, atëherë o duhet të ndryshoj sistemi tarifor, që ata të kalojnë në një tarifë tjetër, o duhet të shihet një zgjidhje afatgjatë. Sepse edhe të kriptovalutat ka sisteme të ndryshme”, tha Murati.

Ai shpjegoi që janë dy sisteme për mihje të kriptovalutave njëra që konsumon energji elektrike në mënyrë intensive e tjetra që konsumon më pak.

Murati po ashtu tha se “në një situatë, kur nuk mund t’i përmbushim gjenerimet e energjisë elektrike, sidomos në periudhën shtator-mars, nuk mund t’i përmbushim nevojat vetanake, është problem”.

“Sa i përket aspektit të konfiskimit dhe procedurave ligjore, këto janë gjëra që i dinë më mirë organet e rendit”, tha Murati. Ai foli edhe për aksionet e Policisë së Kosovës, ku tha se 272 pajisje të sekuestrua shpenzojnë energji elektrike sa një fshat me 500 shtëpi.

Kërcënimet për greva nga sindikatat, Murati: Ata u mashtruan e manipuluan nga qeveritë e kaluara

Sindikatat e Kosovës kanë kërcënuar me greva nëse nuk miratohet Ligji i Pagave.

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se deri tek këto kërcënime ka ardhur për shkak se sindikalistët janë mashtruar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se kërkesat e sindikalistëve nuk janë të sinqerta.

“Diskursi publik nga disa prej përfaqësuesve të sindikatave nuk konsideroj që është i sinqertë. Kjo, për shkak se kemi të bëjmë me një qeveri që ende nuk i ka bërë një vit. Nëse kemi thënë që i zgjidhim problemet brenda mandatit, unë mund të kuptoj që vitin e tretë, mundet me pas kritika, por jo ende pa i bë një vit”, tha Murati.

Murati theksoi se më herët janë dhënë premtime që nuk janë mbajtur, ndërsa tani do të mbahen premtimet, nga qeveria aktuale.

“Unë besoj që sindikatat por edhe punëtorët, do të duhej ta dinin që janë mashtruar sa e sa herë, që janë mashtruar e janë manipuluar prej këtyre partive që kanë qenë në qeverisje, nuk duhet besuar në to”, tha Murati.

“Edhe më herët janë dhënë premtime, nga qeveritë paraprake, por e kemi parë sa janë realizuar. Tash e kemi një qeveri, kur e jep një zotim edhe e realizon. Nuk jemi anashkalues, por vetëm e konsiderojmë që është e pasinqertë të thuhet se po kërkohen të drejtat e punëtorëve dhe të kërkohet të realizohet çdo gjë në një vit dhe të kërcënohet me greva. Greva duhet të jetë fjala e fundit e një diskutimi social”, tha Murati.

Ai u shpreh se më herët kanë përkrahur grevat për shkak se qeveritë e kaluara nuk i kanë mbajtur premtimet.

“Është bërë një Ligj i Pagave, i cili ka qenë një listë dëshirash, pra kanë plotësuar kërkesa dhe dëshira, por që ka qenë i parealizueshëm. Ka qenë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Kuvend e kam cituar, ku thuhet se edhe po të hynte në fuqi, ka qenë i pazbatueshëm, sepse nuk ka qenë i buxhetuar”, u shpreh Murati.

Tutje, ministri i Financave shtoi se, “Ky është rezultati, këtë e ka thënë edhe aktgjykimi, nuk kanë qenë të buxhetuara. Pse duhet një qeveri ta marr përsipër zbatimin e gënjeshtrave të partive tjera. Kemi zgjidhje. Fillimisht Ligji i Pagave bën harmonizim. Ligji i Pagave bën harmonizim. Është një ligj tjetër që është për rritje të pagave në sektorin publik, është ai për financa publike dhe përgjegjësitë”, tha Murati. /Telegrafi/

Exit mobile version