Rikthimi i Lionel Messit te Barcelona nga Paris Saint-Germaini nuk është pamundur – ka thënë Enric Masip, një këshilltar i presidentit të Blaugranëve, Joan Laporta.
Trajneri i katalunasve, Xavi Hernandez, deklaroi javën e kaluar se dera në Camp Nou do të jetë gjithmonë e hapur për superyllin argjentinas dhe se ai e mirëpret rikthimin e tij.
Messi nuk e ka treguar nivelin e tij të lojës në Paris, ndërsa së fundmi është fishkëllyer nga tifozët pas eliminimit të PSG-së nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve.
Këshilltari Enric Masip i ka qetësuar spekulimet për rikthimin e mundshëm të 34-vjeçarit te Barca, por nuk e ka hedhur poshtë mundësinë.
“Asgjë nuk është e pamundur, në jetë ndodhin situata të papritura. Fjalët e Xavit janë keqkuptuar…”.
“Ishte ndoshta një prej periudhave më të mira (të klubit prezenca e Messit), por gjërat shkuan në mënyrën si shkuan dhe ai zgjodhi një projekt në Paris”.
“Ajo që dukej se po rrënohet këtu te Barcelona, skuadra i ka mbijetuar dhe është angazhuar shumë”, ka thënë Masip për Cadena SER. /Telegrafi/