Republikanët në Senatin amerikan kanë bllokuar një lëvizje për të miratuar një projektligj ndihme për Ukrainën, pasi nuk arritën të sigurojnë kompromise për kufirin që e kërkuan në këmbim.
Siç raporton BBC, paketa prej 110 miliardë dollarësh përfshinte 61 miliardë dollarë për Ukrainën, si dhe fonde për Izraelin dhe ndihmë për Gazën.
Në anë tjetër, republikanët po këmbëngulin që çdo ndihmë për Ukrainën të lidhet me reformat gjithëpërfshirëse të emigracionit dhe azilit në SHBA.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se fondet amerikane për Ukrainën mund të mbarojnë së shpejti. Senatorët votuan 51 për dhe 49 kundër avancimit të projektligjit, me 60 vota të nevojshme.
Votimi hedh pasiguri në të ardhmen e ndihmës për Ukrainën dhe i kthen ligjvënësit përsëri në tryezën e negociatave me vetëm disa ditë deri sa Kongresi të ketë caktuar pushimet dimërore.
Çdo senator republikan votoi kundër masës, së bashku me senatorin e pavarur Bernie Sanders, i cili më herët gjatë ditës kishte shprehur rezerva se legjislacioni përfshinte miliarda ndihmë ushtarake për Izraelin.
“Unë nuk besoj se duhet të përvetësojmë mbi 10 miliardë dollarë që qeveria ekstremiste e djathtë e Netanyahu të vazhdojë qasjen e saj aktuale ushtarake”, tha Sanders, duke iu referuar fushatës së vazhdueshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Rripin e Gazës, e cila deri më tani vrau mijëra civilë.
“Ajo që po bën qeveria Netanyahu është e pamoralshme, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë pjesëmarrëse në ato veprime”, shtoi Sanders, i cili është një kritik prej kohësh i Netanyahut.