Telegrafi

Reali fuqishëm në garë për Lautaron, planifikon t’ia paguajë klauzolën dhe t’ia pesëfishojë rrogën

Lautaro Martinez (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, është një prej futbollistëve më të kërkuar të momentit, ndërsa gjiganti katalunas, Barcelona, është duke bërë plane për transferimin e tij.

Mirëpo, për argjentinasin, i cili kërkohet edhe nga Manchester Unitedi, Manchester City e Chelsea, është përfshirë në garë edhe Real Madridi.

Për më shumë, sipas TyC Sports, Los Blancos janë të interesuar që t’ia paguajnë klauzolën lojtarit pas mbylljes së sezonit aktual.

(Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

22-vjeçari ka një klauzolë, sipas të cilës, kontrata e tij mund të shfuqizohet në verën e vitit 2020 për 111 milionë euro. Kjo shumë është relativisht jo e lartë për një lojtar të nivelit të tij, kur kihen parasysh çmimet e futbollistëve në treg.

Veç kësaj, Reali është i gatshëm i ofrojë sulmuesit pagë vjetore prej 14 milionë eurosh, në mënyrë që ta bindë lojtarin që ta zgjedhë klubin madrilen para atij katalunas.

Lautaro këtë sezon ka shënuar 16 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 28 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon. /Telegrafi/