Site icon Telegrafi

Rasti “Karaçeva”, një muaj paraburgim për tre zyrtarë policorë

Foto: Arkiv/Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditëve tre zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin e njohur në publik si rasti i Karaçevës.

“Të pandehurit N. S., N. K. dhe F. K. ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë muajit Dhjetor 2019, në zonën e fshatrave të brezit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprave penale, ashtu që personave të ndryshëm i’u kanë mundësuar kontrabandimin e mallrave, të cilët kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “kontrabandimi me mallra” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Kërkohet paraburgim ndaj tre zyrtarëve policorë lidhur me rastin "Karaçeva"

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se të njëjtit po të  gjendet në liri do të asgjësonin apo dëmtonin provat materiale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​ /Telegrafi/

Exit mobile version