Agjenti i njohur Mino Raiola ka thënë se Zlatan Ibrahimovic e ka derën e hapur për t’u bashkuar me Milanin, ndërsa Juventusi mbetet në zemrën e Paul Pogbas.
Përfaqësuesi i njohur i lojtarëve pritet të arrijë në Itali gjatë javëve të ardhshme për të diskutuar të ardhmen e klientëve të tij.
Raiola ka folur me mediumin italian Rai Sport për thashethemet e fundit të transferimit që rrethojnë klientët e tij.
Ibrahimoviç mund të kthehej në San Siro pasi LA Galaxy nuk arriti të hynte në Play-Off të MLS-së dhe këtë e ka konfirmuar agjenti i njohur.
“Unë konfirmoj atë që kam thënë më parë, marrëdhënia me drejtuesit e rinj të Milanit është e shkëlqyer, prandaj dera është e hapur. Të gjitha opsionet mbeten të hapura”, ka thënë fillimisht Raiola.
Pogbas iu dha një mirëseardhje të ngrohtë nga tifozët e Juventusit kur luajti për Manchester United këtë javë dhe Raiola foli edhe për të ardhmen tij.
“Ai ka përmirësuar marrëdhëniet e tij me Jose Mourinhon dhe tani është më i qetë, sepse ai ndjehet i rëndësishëm për Manchester Unitedin, edhe nëse Torino dhe Juventusi mbeten në zemrën e tij”, përfundoi agjenti.
Ndryshe, dimri pritet të jetë i nxehtë si për Milani, ashtu edhe për Juventusin dhe të ardhmen e Ibrahimovicit e Pogbas. /Telegrafi/