Ish-kryeministri Isa Mustafa si dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti kanë qenë të ftuar në manifestimin qendror për Ditën e Çlirimit – 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi drejtori i Protokollit të Shtetit Orhan Hajrizi, i cili tha se edhe Mustafës në cilësinë e ish-kryeministrit si dhe Kurtit iu janë dërguar ftesa më anë të postës së brendshme të Kuvendit të Kosovës, si dhe kutisë postare.
“Protokoll i Shtetit është marrë me tërë organizimin dhe njëkohësisht edhe me ftesat. Me këtë rast e konfirmoj se ftesat janë përgatitur dhe janë dërguar edhe për z. Isa Mustafa në cilësinë e ish-kryeministrit, të cilën korrieri e ka dërguar në selinë e LDK-së dhe ftesa për z. Kurti është dërguar në Kuvend dhe përmes postës së brendshme të Kuvendit, ftesa i është përcjellë në kutinë postare të Lëvizjes Vetëvendosje më 7 Qershor 2019”, ka thënë Hajrizi.
Ndërkaq, të mërkurën zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se Mustafa nuk ka pasur ftesë as si kryetar i LDK-së, e as si ish-kryeministër.
“Nuk ka pasur ftesë, as si kryetar i LDK-së e as si ish kryeministër. Nuk jam i sigurt pse ka ndodhur kjo, por nuk kemi dashur të reagojmë, ta bëjmë temë këtë, kur sot në Kosovë ka pasur kaq shumë personalitete ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga LVV ka thënë për Telegrafin se kanë pasur ftesa.
“Po kemi pasur ftesa. Disa prej deputeteve kanë qenë të pranishëm në organizimet shtetërore”, ka thënë ajo.
Ndryshe, dje me një manifestim solemn dhe aktivitete të tjera të shumta u kremtua Dita e Çlirimit – 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Manifestimet e djeshme i bënë edhe më madhështore me pjesëmarrjen e tyre ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark dhe personalitete të tjera ndërkombëtare dhe figura të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova. /Telegrafi/