Eddie Hearn e ka quajtur të turpshëm dhe të keq për boksin, duelin ndërmjet Tyson Furyt dhe Otto Wallin. ‘Gypsy King’ rikthehet në ring në fundjavë në duelin kundër suedezit të pamposhtur, të cilin do ta zhvillojnë në Las Vegas.
Britaniku do ta zhvillojë rimeçin ndaj Deontay Wilder në muajin shkurt, ndërsa para asaj përballjeje është duke u ndeshur me Wallin që do t’i shërbejë si parapërgatitje në sfidën e tij për titullin WBC. Mirëpo, kjo nuk i pëlqen promovuesit të Anthony Joshuas.
“Ky meç është i turpshëm. E keni atë që dikush e quan më i miri në kategorinë e peshave të rënda në botë dhe kampioni i pamposhtur që shesin 1.500 bileta në Las Vegas, për një meç për të cilin askush nuk po flet”.
“Për dallim nga Anthony Joshua, i cili po të ndeshej me Otto Wallin, aty do të ishin 20.000 njerëz dhe të gjithë do të flisnin për këtë. Mirëpo, Joshua nuk zhvillon meçe të tilla”.
“Mendoj se njerëzit duhet ta vlerësojnë Joshuan, i cili vazhdimisht është ndeshur me 15 të parët dhe 10 të parët në kategorinë e peshave të rënda.
“Nganjëherë mund të zhvillosh një duel të tillë. Por, t’i bësh dy (meçe të tilla) është lakmitare… Nuk është gjë e mirë për boksin”, ka deklaruar Hearn për Behind the Gloves. /Telegrafi/