Sipas promotorit të njohur, Eddie Hearn, rivaliteti i zhurmshëm në mes të Anthony Joshuas me Joseph Parkerin do të vlojë në konferencën e parë për shtyp nëse përplasja e tyre e për unifikimin e titujve konfirmohet.
Hearn mbajti një takim tjetër me promotorin e Parkerit, David Higgins dje (e mërkurë), ku kanë vazhduar diskutimin për detajet e mbetura të një marrëveshjeje boksi mes klientëve të tyre.
Marrëveshja përfshin meçin për unifikimin e titujve në peshat e rënda, me Joshuan që do të vë titullin e tij WBA dhe atë IBF në rrezik kundër kampionit të WBO-së, Parker.
Joshua pritet të vihet ballë për ballë në konferencë me boksierin nga Zelanda e Re në javën e ardhshme nëse bisedimet shkojnë sipas planit dhe ata do të rifillojnë një betejë verbale që u nxit nga një seri komentesh kritike nga Parker dhe Higgins para disa muajve.
“Isha duke folur me David Higgins dje. Ata me të vërtetë besojnë se do ta nokautojnë Joshuan”, ka thënë fillimisht Hearn për Sky Sports News.
“Ndihemi ndryshe. Ju do të shihni shumë ‘zjarr’ këtë konferencë për shtyp. David Higgins ka shumë për të thënë për veten e tij, ai është një karakter qesharak, dhe Anthony Joshua nuk e pëlqen atë që Joseph Parker ka thënë”.
“Kjo mund të jetë hera e parë që do të shohim një ndryshim të Anthony Joshuas dhe unë jam i gëzuar kur e shoh”.
Joshua do të lidhet me trajnerin Rob McCracken në Sheffield brenda dy javëve të ardhshme për të filluar përgatitjet, ndërsa Parker do të jetë i bazuar në Las Vegas përpara luftës, e cila do të organizohet në një vend britanik në mars ose prill.
“AJ dëshiron të gjitha rripa dhe Parker është luftëtari i përsosur në kohën e përkryer”, tha Hearn.
“Kjo është një luftë e madhe mes dy kampionëve të pamposhtur të peshave të rënda botërore dhe ne jemi afër tani”, përfundoi promotori i njohur. /Telegrafi/