Një polic palestinez është suspenduar nga puna, pasi është fotografuar duke ndihmuar ushtarët izraelitë të ndërrojnë gomën e veturës që u ishte shfryrë në një rrugë në Bregun Perëndimor.
Koloneli Ahmad Abu al-Rub po hetohej nga organet kompetente, pasi një fotografi e tij duke qëndruar i gjunjëzuar para një ushtari izraelit, ka shkaktuar reagime të ashpra pasi u publikua në internet, transmeton Telegrafi.
Al-Rub ishte akuzuar për faktin se kishte ndihmuar izraelitët, pasi ishte fotografuar duke ndihmuar ushtarët në ndërrimin e gomës së shfryrë.
Nuk dihet saktë dita kur ka ndodhur kjo ngjarje, edhe pse imazhet janë duke qarkulluar në rrjetet sociale për më shumë se një javë.
Al-Rub, zyrtar i lartë në policinë e Hebronit, kishte parë një veturë të ndaluar që kishte bllokuar rrugën dhe kështu kishte shkuar për t’ju thënë ushtarëve që ta largojnë.
Por, kur e pa se vetura e tyre kishte mbetur në mes të rrugës për shkak të gomës së shfryrë, vendosi t’i ndihmojë. /Telegrafi/