Telegrafi

Petr Cech kujton duelet me Messin: Iu deshën 10 ndeshje që të më shënonte

(Foto: Getty Images/Bleacher Report)

Petr Cech ka folur për rivalitetin e madh te Chelseat me Barcelonën dhe përpjekjet e Bluve për ta ndalur Lionel Messin.

Në periudhën 2004-2012, skuadra angleze ishte ndeshur 10 herë me atë spanjolle, dhe derisa Blutë luanin me kundërsulme, Blaugranët zhvillonin lojën e tyre ‘tika-taka’ me posedim të topit.

Cech, i cili ishte në portën e Chelseat në atë kohë, ka pasur një rekord fantastik duke mos pranuar gol nga më i rrezikshmi, Leo Messi. Argjentinasi arriti t’i shënonte gardianit çek vetëm pas transferimit të tij te Arsenali.

“Iu desh kohë e gjatë që të më shënonte – në fakt 10 ndeshje, ia doli kur isha lojtar i Arsenalit. Ai huqte penallti, unë bëja pritje, e godiste shtyllën, por asnjëherë nuk më ka shënuar sa isha te Chelsea. Ishte kënaqësi ta mbaja portën të paprekur nga ai. Kur e pati penalltinë në Camp Nou në 2012, ishte momenti definues”.

“Isha duke menduar se çfarë mund të bënte, se çfarë do të bënte. Kështu që strategjia ime ishte të prisja dhe të prisja deri kur të shihja se do të godiste. Kështu që kur lëviza në anën ku do ta dërgonte topin, ai e dinte se duhej të godiste lartë për të më mposhtur – por shkoi shumë lartë dhe e goditi shtyllën”, ka deklaruar Cech. /Telegrafi/