Site icon Telegrafi

Përmbledhje: Publikimi rezultateve përfundimtare, akuzat e Nismës ndaj KQZ-së, deputetët që s’u rizgjedhen, mbledhja LVV-LDK…

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ),  këtë të enjte, ka publikuar  rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve  parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit ishte 44,72 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 220 mijë e 811 vota apo 26,159 për qind, LDK 206 mijë e 458 vota apo 23,458 për qind, PDK ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163 për qind, AAK-PSD koalicioni 100 për qind Kosovë ka 96 mijë e 883 vota apo 11, 477 për qind, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754 për qind, Nisma-AKR-PD 42 mijë e 72 vota apo 4.984 për qind.

Pas publikimit të rezultateve, ka reaguar Nisma Socialdemokrate, e Fatmir Limajt, pasi nuk e kaloi pragun zgjedhor, për 135 vota.

Përmes një konference për media kanë thënë se KQZ sot ka shpallur rezultat të fabrikuar.

Lexo po ashtu Votat e pesë liderëve nëpër komuna, ku dolën ata mirë e ku keq (Grafiku)

Anëtari i kryesisë së Nismës, Endrit Shala ka akuzuar KQZ-në se ka fabrikuar rezultatin, duke kundërshtuar kështu rezultatin përfundimtar i cili e ka lënë jashtë koalicionin Nisma-AKR.

Ai shtoi se këto vota KQZ i kontrabandojnë në QNR duke i futur në mënyrë të paligjshme në rezultatin e zgjedhjeve.

Shala bëri të ditur se do të ankohen në të gjitha institucionet relevante.

Lexo po ashtu Cili lider partie mori vota më së shumti që prej zgjedhjeve të 2001-ës?

“Rezultati përfundimtar është ai që ka dalë me vota të rregullta, dhe me këto vota të rregullta Nisma dhe koalicioni unë është mbi 5%. Ne kërkojmë ligjshmëri dhe do t’i shfrytëzojmë për ankesë të gjitha instancat bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Shala.

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, rezultatet e KQZ-së i quajti të manipuluara dhe që sipas tij, nuk e paraqesin vullnetin e popullit të Kosovës.

Sipas Pacollit, përfshirja në numërimin e votave nga Serbia që janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin dhe të cilat janë plotësuar kryesisht nga një person që përfaqëson Vuçiqin dhe Daçiqin në Kosovë është një skandal dhe një gabim historik.

E në këto zgjedhje më keq se Nisma-AKR-PD, doli PSD-ja. Vetëm një deputet nga ta hyri në Kuvend.

Këtë debakël që e pësoi PSD, bëri që , ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, të japë dorëheqje nga të gjitha strukturat e kësaj partie.

Lexo po ashtu Pesë partitë politike që dështuan të kalojnë pragun zgjedhor në shtatë legjislatura

“Sot, pas shpalljes zyrtare të rezultateve, unë nuk mund që t’ju injoroj. Përkundrazi, votën tuaj unë e dëgjova me vëmendje të lartë dhe sinqeritet të plotë. Për t’ju përgjigjur kësaj, unë që nga sot jap dorëheqje të plotë nga pozitat e mija brenda strukturave të Partisë Socialdemokrate duke marr përgjegjësinë si shef i grupit parlamentar dhe anëtar i kryesisë”, ka thënë ai.

Nga listat e shpallura vërehet se disa nga deputetët e legjislaturës së gjashtë të cilët kanë kandiduar edhe për një mandat, nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme.

Ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës

Telegrafi iu sjell disa nga emrat më aktivë të deputetëve të legjislaturës së kaluar e të cilët nuk morën vota për t’u bërë përsëri deputetë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje: Xhelal Sveçla, Ismail Kurteshi, Sami Kurteshi, Drita Millaku të cilët ishin deputetë në mandatin e kaluar, nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për këtë legjislaturë.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës: Naser Rugova, Ismet Beqiri, Liri Kajtazi, Mirjeta Kalludra, Imet Rrahmani, janë disa deputetët e legjislaturës së gjashtë që nuk morën vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit.

Lexo po ashtu Këta janë deputetët që do të jenë pjesë e Kuvendit për herë të parë

Nga Partia Demokratike e Kosovës: Xhavit Haliti, Safete Hadërgjonaj, Luljeta Gutaj Veseli, Dhurata Hoxha, Hajdar Beqa, Xhevahire Izmaku, nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë Kuvendit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Ahmet Isufi e Muharrem Nitaj, dy deputetët e legjislaturës së kaluar nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për këtë mandat.

Ndërsa ajo që befasoi më së shumti ishte PSD, ku nga kjo parti vetëm një deputet ka arritur të marrë vota të mjaftushme për të qenë pjesë e këtij mandati. Ajo është Natyra Kuçi.

Nga Partia Socialdemokrate: Frashër Krasniqi, Visar Imeri, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Fisink Ismaili, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Salih Salihu, Besa Baftiu, Driton Çaushi, janë deputetët e PSD-së të cilët ishin pjesë e Kuvendit e që nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për këtë mandat.

Nga Nisma nuk do të jenë Bilall Sherifi, Valdete Bajrami.

Lexo po ashtu Kuvendi i Kosovës nuk mbetet pa artistë - cilët këngëtarë e aktorë i siguruan ulëset dhe kush nuk i mori votat e mjaftueshme?

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës brenda dy-tri ditëve të ardhshme pritët të formalizojnë marrëveshjen politike për qeverisjen e ardhshme.

Në takimin e fundit të grupeve punuese të këtyre dy partive, u tha se janë pajtuar po thuajse për gjitha çështjet programore, por pa diskutuar ende për ndarjen e posteve.

Në takimin e gjashtë me radhë i cili zgjati rreth tre orë, anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti para mediave, tha se me anë të këtyre takimeve kanë vendosur një standard të ri për marrëveshje politike.

Lexo po ashtu Votat e pesë liderëve nëpër komuna, ku dolën ata mirë e ku keq (Grafiku)

“Ky është takimi i fundit për çështjet programore të marrëveshjes. Unë e them me kënaqësi që kemi arritur  të përmbyllim, po thuajse të gjitha çështjet programore. Prej zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, politikat sociale për kulturën, sport, çështjet e diasporës, energjetike. Për sa na përket neve si grupe punuese, në aspektin profesional kemi arritur të përmbyllim diskutimet tona”, tha ai.

Në takimin e të enjtes, Hoti theksoi se kjo marrëveshje do të dorëzohet tek kryetarët e partive për të konkretizuar atë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhje.

“Jemi të gatshëm që këtë marrëveshje shumë shpejt për 2-3 ditët e ardhshme në formën e shkruar të draftuar ta dorëzojmë tek kryetarët e partive, të cilët do të ulën besoj menjëherë pas certifikimit të rezultateve për të konkretizuar dhe formalizuar këtë marrëveshje”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version