Përkundër njoftimeve në mediat spanjolle lidhur me një marrëveshje që përfshinte Nelson Semedon, Sky Sport Italia raporton se Miralem Pjanic do t’i bashkohet Barcelonës vetëm në rast se Arthur Melo shkon te Juventusi.
Gazeta spanjolle Sport kishte bërë të ditur pasditen e të dielës se Bianconerët kanë arritur marrëveshje që ta jepnin bonjakun, Mattia De Sciglio dhe 25 milionë euro në shkëmbim të Semedos.
Mirëpo, mediat italiane i përgënjeshtrojnë këto njoftime duke pohuar se jo vetëm shifrat janë të pasakta, por edhe emrat e përmendur nuk janë pjesë e ndonjë marrëveshjeje.
Eksperti i transferimeve në Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio, ka thënë se i vetmi lojtar i Barcës për të cilin Juve e jep Pjanicin është Arthur. Mirëpo, kjo vështirë mund të ndodhë, sepse braziliani ka theksuar se nuk do të dëgjojë asnjë ofertë dhe dëshira e tij e vetme është qëndrimi në Camp Nou.
Mesfushori i Zonjës së Vjetër mbetet akoma në treg, pasi Manchester Unitedi (Paul Pogba) dhe Paris Saint-Germaini (Leandro Paredes) kanë propozuar marrëveshje shkëmbimi me boshnjakun.
Juventusi e vlerëson Pjanicin rreth 30-40 milionë euro, prandaj raportimet në mediat spanjolle (që përfshinin De Sciglion dhe 25 milionë euro për Semedon) duket të pasakta. /Telegrafi/