Telegrafi

Dhunimi që tronditi Kosovën, reagime të ashpra nga politika e shoqëria civile

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë të shtunën e 27 gushtit, ku një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona.

Nga pesë persona që dyshohet se janë përfshirë në dhunim, katër prej tyre tashmë janë identifikuar dhe kanë përfunduar në prangat e policisë, derisa i pesti është ende në arrati.

Në dosjen e prokurorisë përshkruar për këtë rast thuhet se e mitura ishte duke ecur në njërin nga parqet e Prishtinës.

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Për këtë rast të rëndë kanë reaguar strukturat më të larta shtetërore si dhe liderët e partive politike opozitare.

Presidentja Vjosa Osmani, dhunimin e 11-vjeçares e ka konsideruar akt çnjerëzor.

Lexo po ashtu Sveçla njofton se janë arrestuar edhe dy persona tjerë për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti nga organet e rendit ka kërkuar që të vënë para drejtësisë personat e dyshuar.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i tronditur nga rasti.

“Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!  Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, tha Rama.

Mirëpo ka pasur raste kur deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar edhe rikthimin e dënimit me vdekje.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se pas këtij rasti të rëndë ai është “pro” rikthimit të dënimit me vdekje.

Lexo po ashtu Një muaj paraburgim ndaj të miturit që dyshohet se së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur në Prishtinë

Pas rastit makabër ndaj vajzës 11 vjeçare. Pytja është: A duhet të kthehet dënimi me vdekje? Unë them se PO”, ka vijuar Haxhiu.

Avokati Arianit Koci thotë se, nga rrethanat që po përshkruhen në media dënimi maksimal mund të jetë burgim i përjetshëm.

“Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm”, ka shkruar Koci në Facebook.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën do të protestojnë dhe kanë tri kërkesa.

Lexo po ashtu Të martën mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e dhunimit së 11-vjeçares në Prishtinë

Protesta do të nis në orën 12:00 te sheshi “Zahir Pajaziti”. Ndërsa, aty do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se liderët politikë është dashur të reagojnë më moti për fenomenin e përdhunimeve.

Lexo po ashtu Haxhiu reagon ashpër pas përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, kërkon angazhim të institucioneve e shoqërisë

“Rastet e sulmeve dhe dhunës ndaj vajzave e grave janë rritur eksponencialisht sepse asnjë institucion qysh moti s’po e kryen punën si duhet për t’a ndërprerë këtë fenomen. Dënimet qesharake e trajtimi joserioz i këtij problemi, veç i ka ‘trimëruar’ kriminelët’, ka shkruar Cakolli.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar publikimin e emrave të të dyshuarve për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Ajo ka thënë se një praktikë e tillë ekziston edhe ne SHBA.

Policia ka njoftuar se viktima është dërguar në strehimore organet tjera shtetërore po merren me të dyshuarit e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë./Telegrafi/