Pele ka uruar Lionel Messin për fitimin e Topit të shtatë të Artë në karrierë, me ceremoninë që u mbajt mbrëmë.
Legjenda e futbollit bëri një postim të veçantë për argjentinasin, që tashmë cilësohet nga shumëkush si më i miri në histori të këtij sporti.
“Urime, Leo Messi, për një tjetër Top të Artë. Pa dyshim që është një nderim i drejtë për një talent unik. Shtatë herë, faleminderit shumë!“, shkroi Pele.
Messi, sulmuesi i Paris Saint-Germain, fitoi në një votim të ngushtë ndaj sulmuesit polak Robert Lewandowski nga Bayern Munich dhe mesfushorin italo-brazilian Jorginho nga Chelsea, të cilët mbyllën podiumin në garën për çmimin prestigjioz që jep çdo vit revista France Football.
Në anën tjetër, kujtojmë që Pele po shërohet pasi u operua nga një tumor i zorrës së trashë në shtator që e detyroi atë të shtrohej në spital për një muaj dhe t’i nënshtrohej trajtimit me kimioterapi që është ende në proces.
Legjenda e futbollit ka fituar tre herë Kupën e Botës, mirëpo asnjëherë Topin e Artë, pasi nuk ishte në kontinentin e vjetër. /Telegrafi/