Legjenda braziliane e futbollit, Pele ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, Neymar dhe e ka përgëzuar për kalimin e tij te Paris Saint-Germain, duke thënë se tani mund të bëhet yll i madh pasi u nda nga hija e Lionel Messit.
Pele ka folur gjerë e gjatë në një intervistë për portalin e njohur britanik të futbollit ‘Goal.com’.
Megjithatë, legjenda braziliane është fokusuar te bashkëkombësi i tij Neymar, i cili sipas tij është më shumë se një sulmues dhe do mund të bëhet yll i madh i futbollit pasi u nda nga Messi.
“Neymar është më shumë një sulmues, nuk ka dyshim se ai ka një të ardhme të madhe përpara, por ka gjëra për të cilat ai duhet të përmirësohet, në Kupat e Botës së ardhshme, p.sh”, ka thënë fillimisht Pele për Goal.
“Sot, me stile të ndryshme, Cristiano Ronaldo, Messi dhe Neymar janë lojtarët më të mirë në botë. Ka lojtarë të tjerë, por më të mirët në botë për momentin janë këta tre”.
“Për Neymar, transferimi te PSG mendoj se ishte gjëja më e mirë”.
“Për Brazilin nuk ka shumë ndryshime, por ka edhe lojtarë të tjerë të mirë, por për të, mendoj se ishte gjëja më e mirë, sepse gjithmonë ka qenë diskutimi, “Neymar, Messi, Neymar, Messi”. Tani ai mund të bëhet ylli i madh. /Telegrafi/