Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Koraci, Martin Berishaj pas fakteve të reja që janë prezantuar ku dyshohet për përfshirjen e tij në skandalin energjetik.
Kështu tha në një konferencë për media, nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku.
“Kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre investiguese si dhe nga institucionet përgjegjëse që Berishajn ta shkarkojnë menjëherë nga detyra e ambasadorit”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se është ai që po pengon për zbardhjen e të vëretetës lidhur me abmasadorin Berishaj.
Ajo shtoi se Qeveria Kurti është munduar ta amnistojë e ta fshehë një prej skandaleve dhe aferave më të thella e më të mëdha, protagonistë të së cilës si palë, i gjen mafinë energjetike të vendeve të Ballkanit, si dhe një ambasador të Republikës së Kosovës, Martin Berishaj.
“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga kryeministri Kurti. Por, përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdo herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal, apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot, shtrihen deri tek Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Çitaku rikujtoi se mediat dje raportuan për të dhëna të tjera faktike që dëshmojnë kompania GEN ka hedhur në llogarinë ambasadorit Berishaj 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat ai nuk i ka raportuar në komision.
Ajo shtoi se një aferë e tillë i bën dëm imazhit të Kosovës në politikën e jashtme. /Telegrafi/