Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në një konferencë për media, ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, se po e dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Deliu-Kodra ka thënë se ditëve të fundit kemi parë një tendencë të hapur të pushtetit nga presidentja, kryeministri e ministra për të mohuar historinë e re të Kosovës e luftën e UÇK-së.
“Sot për presidente kemi një figurë që përveç që nuk është unifikuese, por ajo as nuk e njeh luftën e UÇK-së dhe sakrificën e tyre. Osmani fton presidentët e Kosovës në një takim por nuk e përmend asnjëherë emrin e presidentin Hashim Thaçi”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo më tej ka kritikuar edhe ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla për fjalimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkruan Telegrafi.
“Ne kemi një kryediplomate si Donika Gërvalla e cila për keqardhje dje ishte në një linjë të njëjtë me Rusinë dhe Serbinë kur foli për Kosovën e pushtuar nga krimi e korrupsioni. E kemi një kryeministër që dikur i dërgonte letra përfaqësuesve ndërkombëtar kundër elitës politike në Kosovë dhe kërkonte arrestimin e madje edhe dënimin e tyre. Presidentja, kryeministri, ministrja e jashtme kanë harruar që ata përfaqësojnë shtetin e Kosovës, e jo partitë e tyre”, u shpreh Deliu-Kodra.
Deputetja theksoi se të pranohet nga goja e tyre se ky vend është i zhytur në krim e korrupsion atëherë shtrohet pyetja se si do të vijnë njohjet e reja, si do të anëtarësohemi si Kosovë në organizata ndërkombëtare.
“Ky pushtet i ri i cili udhëhiqet nga LVV-ja fatkeqësisht po mendon se çdo gjë fillon me ta. Imazhin që këta mohues të shtetit tonë janë duke e portretizuar nëpër botë është një Kosovë pa histori, pa pavarësi, pa UÇK, pa luftën tonë çlirimtare, pa sakrifica e pa asnjë vlerë shtetërore”, theksoi Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra shtoi se ministrja Gërvalla dje foli zi e terr në sy të botës sesi Kosova është e përkushtuar nga krimi dhe korrupsioni, dhe se dita e djeshme ishte ditë turpi për Kosovën. /Telegrafi/