Site icon Telegrafi

Pas takimit të G7, Biden: Ramë dakord të ecim përpara me sanksione shkatërruese kundër Rusisë

Shtatë shtetet më të industrializuara të botës perëndimore, të njohur si grupi G7, kanë mbajtur një takim virtual pas agresionit rus në Ukrainë.

Në një mesazh në Twitter, presidenti i SHBA-së, Joe Biden thotë se ka rënë dakord me liderët e tjerë të G7 “për të ecur përpara me paketat shkatërruese të sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike për të kërkuar llogari nga Rusia”.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi në katër ditët e para të agresionit rus në Ukrainë

“Ne qëndrojmë me popullin e guximshëm të Ukrainës”, shtoi ai.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit virtual, udhëheqësit e G7 thanë se presidenti rus Vladimir Putin ka “rifutur luftën në kontinentin evropian”.

“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”, shkruan në deklaratën e udhëheqësve botëror.

“Ne dënojmë Presidentin Putin për refuzimin e vazhdueshëm për t’u përfshirë në një proces diplomatik për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane, pavarësisht ofertave tona të përsëritura”, thuhet në deklaratë.

Lexo po ashtu Mbretëria e Bashkuar vendos dhjetë sanksione të mëdha ndaj Rusisë – Johnson thotë se të njëjtat do t’i aplikojë edhe SHBA-ja

“Ne qëndrojmë të bashkuar me partnerët, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe vendet e tyre anëtare, si dhe Ukrainën dhe mbetemi të vendosur për të bërë atë që është e nevojshme për të ruajtur integritetin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, shkruan ndër të tjerash.

Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar tashmë i ka vendosur dhjetë sanksione të ashpra presidentit rus, Vladimir Putinit, aleatëve të tij si dhe bizneseve të Rusisë. /Telegrafi/

Exit mobile version