Telegrafi

OVL e UÇK i kërkon Osmanit mosdekretim të Ligjit për pagën minimale: Do të bllokojmë edhe Kuvendin

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës OVL e UÇK-së pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani thanë se do të shikojnë të gjitha rrugët ligjore që të parandalojnë hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale.

Kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se do të mbajnë protesta që të bllokojnë punën e parlamentit të Kosovës.

Sipas tij, para presidentes i parashtruan kërkesat e tyre dhe siç tha Jashari presin nga Osmani që mos ta dekretojë ligjin.

“I dini qëndrimet e OVL e UÇK-së..Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë të bllokojmë tutje punët e parlamentit. I thamë çfarë kishim për t’ thënë presidentes dhe i bëmë kërkesë që mos ta nënshkruaj një ligj të tillë i cili i diskriminon veteranët e luftës. Besoj që edhe në përputhje me ligjet për këto kategori ka plotë shkelje dhe ne i thamë që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kompetencat si dhe do të bllokojmë punën e kuvendit. …Këtu u shkel dinjiteti i kësaj kategorie….”, ka thënë Jashari.

Lexo po ashtu Mospajtimet për Ligjin për pagën minimale, Osmani sot takon përfaqësuesit e OVL UÇK-së

Ai po ashtu tha se kërkesa jonë ishte që Osmani mos të dekretojë dhe mos të nënshkruaj ligjin.

“Presidentja ka kabinetin e saj dhe paanshëm kanë me i pa të gjitha ato. Nëse e nënshkruan një ligj ‘do i vendosësh vetes një notë të keqe’ ”, ka thënë Jashari.

Tutje ai potencoi se do të vazhdojë dhe me rrugë ligjore e me protesta për të parandaluar këtë padrejtësi.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetari të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku bëri të ditur se protesta kundër Ligjit për pagën minimale do të mbahet më 26 korrik.

“E kemi paralajmëruar që më 26 do të kemi protestë atë ditë që do të mbahet seanca”, ka thënë Klinaku. /Telegrafi/