Site icon Telegrafi

U konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjskë, 31 mjete transportuese iu dhanë Policisë për shfrytëzim   

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjete transportuese të konfiskuara në Banjskë i janë dhënë për shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Haxhiu në një prononcim për media ka thënë se gjatë këtyre ditëve kanë nisur të zbatojnë aktvendimin e Gjykatës së Apelit për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar të Milan Radoiçiq.

“Para pak kohësh, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhen me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti Banjska. Pra, janë 31 mjete të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”, ka thënë Haxhiu.

Lexo po ashtu Operacioni policor në veri, sekuestrohen dy vetura, motor dhe një motor-skaf me targa të Serbisë

Ajo gjithashtu tha se: “Gjatë këtyre ditëve kemi nisur të zbatojmë aktvendimin e Gjykatës së Apelit, gjegjësisht të departamentit special që ndërlidhet me menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe në këtë rast bëhet fjalë për vilën që konsiderohej e kryekriminelit Milan Radoiçiq, restorant, banesë në emër të ish bashkëshortes dhe tash po bëhet puna për menaxhimin e kësaj pasurie të sekuestruar deri në përfundim të procedurës pranë institucioneve të drejtësisë. Këto do të monitorohen nga Policia e Kosovës nga afër dhe nga kamerat e sigurisë”, ka thënë Haxhiu.

31 mjete transportuese i janë konfiskuar Milan Radoiçiqit me vendim te Ministrisë së Drejtësisë, te njëjtat i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës për nevojat e tyre”, ka thënë ministrja e Drejtësisë të enjten.

Lexo po ashtu Priten sekuestrime të reja në veri, pronë e Milan Radoiçiqit

Ajo tha se është e habitshme se si ende nuk ka një aktakuzë për kriminelët që e kanë udhëhequr këtë sulm terroristë.

“Ajo çka është e rëndësishme është Prokuroria Speciale të veprojë në përputhje me përgjegjësit…Unë i bashkohem thirrjes se kryeministrit, Serbia duhet ta ekstradojë Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij, që të njëjtit të dalin para drejtësisë, sepse ata tashmë janë vendosur edhe në listën e Interpol-it”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version