Site icon Telegrafi

Paratë që do t’i përfitojnë ish-klubet e Pjanicit nga transferimi te Barcelona

(Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Transferimi i Miralem Pjanicit nga Juventusi te Barcelona për 60 milionë euro, i ka sjellë përfitime edhe Romës dhe ish-klubeve tjera të tij, në veçanti Metzit dhe klubit ku e nisi karrierën si fëmijë, Schifflange.

Mesfushori boshnjak do të luajë në Camp Nou pas përfundimit të këtij sezoni, si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit me Arthur Melon, i cili do t’iu bashkëngjitet Bianconerëve.

Calcio e Finanza dhe CIES Football Observatory kanë kalkuluar se Roma do të përfitojë 600.000 euro nga ky transferim.

Miralem Pjanic si lojtar i Romës (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Në bazë të rregullave të FIFA-s, Giallorossëve dhe klubeve tjera të mëparshme u sigurohet një pjesë në kuadër të ‘pagesës së solidaritetit’ për rolin e tyre në zhvillimin e lojtarit para se të transferohej te Juve në vitin 2016.

Lexo po ashtu Zyrtare: Barcelona transferon Miralem Pjanicin - klauzola për largim është e frikshme

Në total, një shumë prej tre milionë eurosh, apo 5 për qind e shumës së transferimit, do të ndahet në mes të ish-klubeve të Pjanicit: Roma (600.000 euro), Lyoni (450.000 euro), Metz (1.05 milion euro) dhe Schifflange (900.000 euro).

Miralem Pjanic si lojtar i Olympique Lyonnais (Foto: Denis Doyle/Getty Images/Guliver)

Sa ishte pjesë e Giallorossëve (2011-2016), mesfushori shënoi 30 gola dhe dhuroi 44 asistime në 185 paraqitje për klubin nga kryeqyteti italian. /Telegrafi/

Exit mobile version