Site icon Telegrafi

Paqartësi me shiritin e kapitenit te Shqipëria, Berisha kërkon sqarime nga Reja

(Foto: Screenshot/SuperSport)

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Kosovën, një bisedë mes trajnerit Edy Reja dhe Etrit Berishës, bëri të dalë në pah një problem për shiritin e kapitenit të kombëtares së Shqipërisë.

Portieri e ka pyetur trajnerin nëse ka folur apo jo me Elseid Hysajn mbi faktin që ai po prezantohet si kapiten përpara mediave, por italiani i habitur thekson se të gjithë e kanë të qartë se kush e ka shiritin dhe nuk shikon çështje te kjo gjë.

Që prej largimit të Lorik Canës, shiriti kapitenit te kuqezinjtë ka lëvizur sa nga njëri krah te tjetri dhe së fundi te Berisha, që të paktën nga fjalët e Rejas, por edhe ndeshjet e fundit, me shumë mundësi do të vazhdojë të jetë kapiten, megjithatë ky i fundit i kërkon sqarime nëse është biseduar me Hysajn mbi këtë gjë.

Lexo po ashtu Etrit Berisha: Nëse Shqipëria dhe Kosova do të kishin një ekip kombëtar, do të na kishte frikë e gjithë Evropa

Kjo pasi mbrojtësi shkodran ishte kapiteni i kuqezinjve edhe në ndeshjet e muajit shtator, por më pas u pezullua nga trajneri Reja për një shkelje disiplinore dhe duket se tani italiani ka vendosur që shiriti të mbetet përfundimisht në krahun e Etrit Berishës.

Por, a ka realisht një çështje kapiteni në kombëtare, apo ai veprim i Berishës ishte thjesht i pamenduar dhe i bërë në vendin më të papërshtatshëm, në një sallë konferencash – shkruan SuperSport.

Çështja është që prej vitesh shiriti i kapitenit në kombëtare nuk po gjen krahun e përshtatshëm dhe a është kthyer apo jo në një diskutim brenda dhomave të zhveshjes, kjo duhet parë, pasi biseda që dëgjohet qartë mes trajnerit dhe portierit, është tregues se të paktën mes lojtarëve ekziston droja, ndërsa qëndrimi i Rejës lë të kuptohet se ai këtë çështje e ka zgjidhur njëherë e mirë.

Shiriti i kapitenit filloi të kthehej në një çështje për Kombëtaren Shqiptare që nga koha e Christian Panuccit, që aplikoi rregullin e lojtarit me më shumë ndeshje, duke bërë që nga sfida në sfidë, shiriti të ndërronte krah, pa gjetur një vend fiks.

Exit mobile version