Site icon Telegrafi

Paqartësi nëse do të përdorën shkollat e veriut për votimin e 21 prillit

Edhe tani ka paqartësi nëse shkollat e komunave në veri do të mund të përdoren si qendra votimi më 21 prill, kur qytetarët do të deklarohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. 

Paralajmërimet se shkollat mund të mos jenë të qasshme për votimin e 21 prillit në komunat veriore, i kanë shkuar në vesh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Andaj, ky institucion para dy ditësh u ka dërguar një letër secilës komunë.

Përmes tyre ka kërkuar që t’i jepen informacione për gjendjen e këtyre objekteve.

“Planifikimet tona dhe i gjithë procesi deri tani ka qenë i orientuar drejt qendrave të votimit nëpër shkolla. Prandaj deri më tani nuk kam një përgjigje nëse votimi do të zhvillohet në kontejnerë. Ne jemi në komunikim me kryetarët e komunave dhe institucionet tjera, të cilat duhet të na sigurojnë qasjen nëpër shkolla”, tha Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.

Lexo po ashtu Dilemat rreth votimit për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

Kryetari i Zubin Potokut i ka thënë TV Dukagjinit se ai ka njoftuar KQZ-në që çdo objekt që është në pronësi të komunës mund të përdoret si qendër votimi.

Televizioni ka komunikuar edhe me zyrtarë të komunës se Leposaviqit dhe të njëjtit kanë thënë se nuk u ka shkuar ndonjë kërkesë nga KQZ-ja me kërkesë specifike për shfrytëzimin e objekteve për t’i përdorur ato si qendra votimi.

Por ngurrim për t’u deklaruar ka te dikush tjetër.

Bojkoti i zgjedhjeve të vitit të kaluar nga Lista Serbe kishte bërë që shkollat të mos mund të përdoren si qendra votimi, dhe zgjedhjet e parakohshme lokale në veri u zhvilluan në kontejnerë të improvizuar si qendra votimi.

Bojkot të ngjashëm ky subjekt politik më i madh i serbëve, ka paralajmëruar edhe ndaj votimit të 21 prillit për shkarkimin apo jo të kryetarëve aktualë nga partitë shqiptare.

Exit mobile version