Site icon Telegrafi

Osmani nuk e dekreton kryeprokurorin Blerim Isufaj, numëron shkeljet ligjore që kanë gjetur gjatë procesit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kryeprokurorin Blerim Isufaj.

Në konferencën për media, Osmani ka numëruar disa shkelje që kanë gjetur lidhur me kryeprokurorin Blerim Isufaj.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me vlerësimin  e procedurave në përzgjedhjen e kryeprokurorin të ri. Jam kujdesur që me veprimet e mia si presidente të shmang çfarëdo ndërhyrje potenciale në drejtësi, prandaj jam përmbajtur për çfarëdo vendimmarrje që do cenonte proceset para gjykatave. Duke pasur parasysh të gjitha shkeljet, përgjegjësia ime më obligon që mos të bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, është shprehur presidentja, transmeton Telegrafi.

Osmani deklaroi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, dhe i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Lexo po ashtu Osmani: Kam marrë kërcënime që nëse nuk e dekreton Isufajn për Kryeprokuror, do t’i lidhim duart

“Disa nga shkeljet e evidentuar nga procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit janë: Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore për pozitën e kryeprokuror të shtetit; mohimi i mundësisë për mjet ankimor brenda KPK-së, për kandidatët e pakënaqur, përmes refuzimit arbitrar të raportit të komisionit për shqyrtim të kundërshtimeve; shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit professional të kandidatëve; shkelje në procedurat të integritetit të kandidatëve”, është shprehur presidentja Osmani.

Presidentja gjatë konferencës tha se ka ftuar  Këshillin Prokurorial të ndjek procedurat kushtetuese e ligjore në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

“Do të parandalojë çdo veprim që do të mund të lëkund shtyllat e shtetit tonë, duke i shkelur parimet kushtetuese. Nuk do të lejojë të rrezikohen parimet kushtetuese për interes të askujt”, tha mes tjerash ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version