Pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani ka thënë se sot do të diskutohet për marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje.
Osmani ka thënë se në takimi e Këshillit të Përgjithshëm do të diskutohet edhe për emrat e ministrave nga radhët e LDK-së.
“Më e rëndësishmja është që me marrëveshjen e sotme të LVV-së dhe LDK-së, është jetësuar vullneti i qytetarëve i 6 tetorit. Të gjitha përpjekjet tona kanë qenë që të kalojmë cilindo mospajtim që kemi, në mënyrë që në fillim të bashkëqeverisjes ndërmjet partive tona të merremi me sfidat që kanë qytetarët tanë dhe të ballafaqohemi me ato”.
“Tani natyrisht, edhe unë edhe zoti Kurti kemi nënshkruar një zotim para qytetarëve se nuk do të rrisim numrin e ministrive mbi 15. Natyrisht ndarja e ministrive do të bëhet në mënyrë të barabartë me LVV-në. Në Këshillin e Përgjithshëm do të diskutojmë për marrëveshjen. Ndërsa gjatë ditës do të vendoset se kush do të jenë përfaqësuesit e LDK-së, në Qeveri”, ka pohuar ajo, raporton Telegrafi.
E pyetur se a është e gatshme ta marrë pozitën e kryeparlamentarit, Osmani tha se do të kontribuojë ku të jetë e nevojshme, dhe se shpreson që nesër të votohet Qeveria./Telegrafi/