Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban thotë se ai foli gjatë me presidentin rus, Vladimir Putin më herët sot dhe i kërkoi të vendoste një armëpushim në Ukrainë.
Ai tha në një konferencë shtypi se kishte ftuar Putinin për bisedime paqeje në Hungari, së bashku me presidentët ukrainas dhe francezë, si dhe kancelarin gjerman.
Ai thotë se përgjigja e Putinit ishte “pozitive, por me kushte”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Përgjigja ishte pozitive, por presidenti rus tha se kishte kushte. Unë nuk mund të negocioj për të përmbushur këto kushte – ai dhe presidenti ukrainas duhet të jenë dakord për to. Kjo është një luftë që rusët e filluan, ata sulmuan Ukrainën dhe është agresion, ky është qëndrimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Hungaria ndan këtë qëndrim”, pohoi ai.
Orban u tha gjithashtu gazetarëve se ai nuk do të dorëzohej para presionit për të zgjeruar sanksionet mbi importet e naftës dhe gazit nga Rusia.
Ai thotë se është i përgatitur të paguajë rubla për gazin rus, duke thyer radhët me Bashkimin Evropian, i cili ka kërkuar një front të bashkuar për të kundërshtuar kërkesën e Moskës për pagesë në monedhë.
Nacionalisti Orban shihet se ka marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe i përshkroi burokratët e Brukselit dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky si “kundërshtarë” në fjalimin e tij të fitores pasi ai u rizgjodh këtë javë. /Telegrafi/