Hungaria do të bllokojë propozimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Ukrainës, në një samit të liderëve të bllokut këtë javë, tha të mërkurën kryeministri Viktor Orbán, duke shtuar se pranimi i vendit të shkatërruar nga lufta do të kishte pasoja të paparashikueshme për BE-në.
Siç raporton AP, udhëheqësit e BE-së pritet të votojnë nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit për Ukrainën gjatë një samiti në Bruksel që fillon të enjten.
Orbán ka pohuar se do të bllokojë propozimin, i cili kërkon një vendim unanim nga krerët e të 27 vendeve të bllokut, transmeton Telegrafi.
Duke folur para ligjvënësve në parlamentin e Hungarisë sot, Orbán tha se koha për ta sjellë Ukrainën në BE “nuk ka ardhur ende”, dhe se zhvillimi i një partneriteti strategjik me Kievin duhet të jetë një parakusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
“Jemi të interesuar për një Ukrainë paqësore dhe të begatë, por kjo kërkon vendosjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur dhe një thellim të qëllimshëm të partneritetit strategjik”, tha Orbán, duke shtuar se një proces i tillë mund të zgjasë “disa vite”.
“Çdo gjë ka kohën e caktuar, por koha për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk ka ardhur ende”, tha ai.
Përtej premtimeve të saj për të bllokuar bisedimet e anëtarësimit të Ukrainës, Hungaria vazhdimisht ka sinjalizuar se do të vërë veton ndaj një pakete ndihme financiare për Kievin me vlerë 50 miliardë euro (54.1 miliardë dollarë), një pozicion që ka irrituar partnerët e Hungarisë në BE, të cilët theksojnë se ndihma për Ukrainën dhe anëtarësimin e saj përfundimtar janë vendimtare për sigurinë e Evropës. /Telegrafi/