Site icon Telegrafi

Orban mendon se Brukseli kaloi ‘vijën e kuqe’ me embargon ruse të naftës

Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë të premten se Brukseli kishte kaluar “vijën e kuqe” në dëshirën për të ndaluar importet ruse të naftës dhe “minuar” unitetin evropian të shfaqur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen ‘ka sulmuar qëllimisht ose jo unitetin evropian’”, ka thënë ai, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

“Që në fillim e kemi bërë të qartë se ekziston një vijë e kuqe, përkatësisht embargoja e energjisë. Ata e kanë kaluar këtë kufi”.

Orban ka vlerësuar madje se propozimi aktual i Komisionit Evropian për ndalimin e importeve të naftës ruse do të përbënte një “bombë atomike” të hedhur në ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria ishte e gatshme të negocionte nëse sheh një propozim të ri që do të përmbushte interesat hungareze.

Lexo po ashtu Ursula von der Leyen: Rusia nuk është më një partner i besueshëm

Propozimi i BE-së për t’iu paraqitur vendeve anëtare, siç u zbulua nga von der Leyen të mërkurën, përfshin vendosjen e një ndalimi në mbarë BE-në për importet e naftës ruse, që do të hiqet gradualisht deri në fund të vitit.

Hungaria dhe Sllovakia, të dyja vendet të cilat janë shumë të varura nga nafta e tubacionit rus, kanë kërkuar t’u jepet kohë shtesë për të përfunduar heqjen nga përdorimi.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha të mërkurën se furnizimi me energji i Hungarisë “do të shkatërrohej plotësisht” nga plani i BE-së.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs i tha CNN se periudha minimale e largimit për Hungarinë do të ishte “tre deri në pesë vjet”. /Telegrafi/

Exit mobile version