50 zyrtarë shtetërorë u vënë nën pranga mëngjesin e së hënës, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Operacioni policor i koduar “Pika” filloi qysh në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, saktësisht në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafë Prush, ndërsa u bë e ditur se hetimet kishin filluar para një viti.
Zyrtarët që u arrestuan dyshohet se janë të involvuar në mbi 400 veprimtari kriminale, transmeton Telegrafi.
Pas operacionit që u realizua nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në një konference për media u deklaruan Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi para mediave ka pohuar se operacioni ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa bëri të ditur se për këtë operacion kanë qenë të angazhuar dy prokurorë.
“Dy prokurë kanë qenë të angazhuar në hetime, gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë që të sigurojmë prova të mjaftueshme se ata po marrin ryshfet në pikat doganore”, deklaroi ai.
Tutje, kryeprokurori i shtetit ka deklaruar se edhe 10 persona janë në arrati.
“Sot jemi njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga policia e Kosovës, dhe dy nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa personat tjerë janë në arrati, dhe disa nuk janë shtetas të Kosovës”.
Pas deklarimit të kryeprokurorit Lumezi, në konferencë u prononcua edhe Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.
Hodaj ka deklaruar se zyrtarët e arrestuar dyshohet se janë përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale.
Gjithashtu, Hodaj bëri të ditur se për zyrtarët policorë është rekomanduar suspendimi dhe se të gjithë gjenden nën paraburgim.
“Ata janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ekziston dyshimi se të arrestuarit janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale, të marrjes së ryshfetit. U është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orë, dhe të njëjtit është dhënë rekomandimi për suspendim nga puna”, deklaroi ai.
Kurse, drejtori Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u shpreh se siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal, dhe se policët e arrestuar janë zëvendësuar nga të tjerët.
“Fakti që policia dhe institucionet e shtetit e kanë vullnetin që të luftojnë korrupsionin, nënkupton që ne duhet të ndihemi mirë. Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohen zyrtarët policorë. Ky hetim ka nisur që një vit. Siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal. Sot duhet të ndihemi më mirë se dje për shkak se janë arrestuar zyrtarët policorë të korruptuar, ata tashmë janë zëvendësuar”, tha ndër tjera ai.
Për aksionet e zhvilluara është deklaruar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se nuk kanë vend në policinë e Kosovës ata që e njollosin punën profesionale të zyrtarëve policorë.
“Policia e Kosovës renditet si institucioni i dytë më i besueshëm për qytetarët dhe kjo natyrisht është falë punës së zyrtarëve policor dhe jo vetëm. Ne jemi zotuar që këtë vlerësim do ta ruajmë dhe do të punojmë maksimalisht që ta ngrisim më lartë. Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës dhe institucionet vartëse të MPB-së të cilët me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre. Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cënon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi”, theksoi ai.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se mbështetja e qeverisë në aksione të tilla si ky i sotmi është e pa-rezervë.
“Në të kaluarën institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk i janë lënë duart e lira për veprim. Në shumë raste ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot, kemi ende sfida mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët. Përshëndes aksionin e përbashkët të institucioneve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit! Mbështetja e qeverisë tonë në raste të tilla është e parezervë”, thuhej mes tjerash në reagimin e ministres Haxhiu.
Pasditen e së enjtes, Policia arrestoi edhe katër persona në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, prej tyre tre ish-zyrtarë të lartë të “Trafikut Urban”.
Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njoftoi se ka arrestuar katër persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, konflikti i interesit dhe ndihma.
Sipas njoftimit për media, bëhet fjalë për R. B., ish-kryesues i Bordit të Drejtorëve të “Trafikut Urban”, L. R., ish-kryeshef i “Trafikut Urban”, F. T., ish- sekretar në “Trafiku Urban” dhe V. K., ish -menaxher në një auto-sallon.
Më këto veprime të dyshuarit L.R., R.B., F.T. dhe V.K. dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, lidhur me nenin 31. “Konflikti i interesit” nga neni 423, lidhur me nenin 31 dhe “Ndihma” nga neni 33, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Ata dyshohet se kanë arritur që përmes marrëveshjeve në mes vete, veturën që ka qenë në pronësi të kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese ta blejnë të njëjtin për nevojat e “Trafikut Urban” në vlerë prej disa mijëra euro me shtrenjtë se vlera reale, duke i shkaktuar dëme buxhetit të ndërmarrjes dhe njëkohësisht përfitime për vete”, thuhet në njoftimin e bërë për media. /Telegrafi/