Ish-gjyqtarja në Gjykatën Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj në një intervistë dhënë për emisionin “Përballje”, ka folur për Propozimin evropian i cili ishte temë diskutimi ditë më parë në një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Mushkolaj gjatë bisedës me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu tha se Propozimi evropian është arritje tejet e madhe për Kosovën.
Sipas saj, Kosova tashmë është në një nivel tjetër ndërkombëtar dhe palë e barabartë me shtetin serb.
“Atë natë kur u arrit marrëveshja dhe zotimi i dy palëve se do ta zbatojnë këtë plan kuptohet do të duhet të shkohet edhe në një proces të gjatë dhe të mundimshëm të planit operacional, por përgjithësisht plani është një e arritur tejet e madhe për shtetin tonë. Tash jemi në një nivel komplet tjetër ndërkombëtar. Ju e patë se kjo duket fillimisht si lloj shakaje…Në ueb-faqen e Bashkimit Evropian (BE) aty ku është shpall ky plan, nuk ka më asterisk. Nuk është më ajo fusnota”, vlerësoi ajo.
Tutje Mushkolaj theksoi se nga momenti që palët e kanë pranuar këtë plan të hartuar nga BE-ja, Kosova nuk është më një objekt i studimeve dhe bisedimeve ndërkombëtare por subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Ne deri më tash kemi qenë realisht objekt i diskutimeve ndërkombëtare. Dhe në gjithë procesin e bisedimeve, që bazamentin e ka që nga viti 2010 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe në procesin e vështirë teknik, mandej politik, ne kemi qenë objekt i bisedimeve.
Tani ne jemi qartësisht dhe plotësisht dy palë të barabarta. Dhe, si të barabarta na njeh BE-ja. Meqenëse ky mekanizëm i negociatave i fasilituar nga BE-ja e ka bazamentin në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tregon realisht që bashkësia ndërkombëtare përgjithësisht, prej atij momenti kur të dy palët e kanë pranuar këtë plan të hartuar plotësisht dhe të vendosur në tavolinë merre ose le, prej atij momenti edhe nga shtetet që nuk na njohin ne jemi subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në raport me Serbinë jemi dy palë të barabarta. Dhe si të tillë prej atij momenti edhe Serbia e ka marr si obligim ndërkombëtar që të na trajtoj”, është shprehur ish-gjyqtarja në Gjykatën Kushtetuese për Telegrafin.
Ajo vlerësoi se “nga teksti vërehet se raportet tona janë të ndërtuara mbi parimet e Kartës së OKB-së, mbi parimin e respektimit të pacenueshmërisë së kufijve, integritetit territorial, sovranitetit dhe të gjitha cilësive që i ka një shtet. Gjithashtu edhe në arenën ndërkombëtare, Serbia asnjëherë nuk do të guxoj që të flas në emër të Kosovës, sepse aty thotë pa marr parasysh – prezumimet përkatëse në arenën ndërkombëtare, Serbia nuk do të flas më kurrë në emër të Kosovës”.
“]
Sipas saj, Serbia tash e tutje do të njoh çdo dokument të Kosovës.
“Letërnjoftimet, targat e automjeteve Serbia nuk i ka njoftë, përkundër një procesi tejet të gjatë teknik e politik rreth këtyre dokumenteve tash blanko, të gjitha bashkë, të gjitha veçoritë që e bëjnë një shtet me simbole ndërkombëtare pasaporta, etj, Serbia na njeh si të tilla. Këto janë marrëveshje mes dy palëve të barabarta”.
E pyetur për dy pika të Propozimit evropian për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, nenin 7 dhe 10, për të cilat pretendohet se janë “të rrezikshme” për Kosovën, e në të cilat flitet për zyrtarizmin dhe mbrojtjen e Kishës ortodokse serbe si dhe për krijimin e një komiteti të përbashkët për respektimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut Kosovë-Serbi, Mushkolaj tha:
“Realisht proces i mundimshëm për ne është që të zbatojmë Kushtetutën tonë. Vet Kushtetuta jonë është produkt i një procesi negociatorë dhe e dimë se një segment i rëndësishëm i Kushtetutës tonë është drejtpërdrejt i bartur nga Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe të gjitha këto çështje që i keni adresuar gati janë aty, por në forma të ndryshme.
E dyta, një pjesë e sistemit gjithëpërfshirës është copy-paste në Kushtetutën tonë dhe ai është neni i famshëm 22 në të cilat i kemi të gjithë instrumentet ndërkombëtare. Ne e kemi të inkorporuar përveç Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e kemi konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, e kemi kapitullin e katërt plotësisht të bazuar në vetëqeverisje lokale mbi Kartën evropiane të vetëqeverisjes lokale, etj”.
Mushkolaj potencoi se edhe pse Kosova si shtet i ri ka problem serioz me shumë dispozita të Kushtetutës së saj, asnjëherë s’kanë pasur guxim që t’i diskutojnë.
“Ne e kemi Ligjin për Vetëqeverisje Lokale që është më i vështirë për zbatim, që nuk zbatohet plotësisht se sa dispozitat që i kemi këtu. Kemi pas në vitin 2013, dhe vet ai propozimi ynë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e vitit 2013, ajo marrëveshje i përfshin – gjashtë pikat e para i kemi për Asociacion të komunave me shumicë serbe. Me këtë dokument sado që e kemi vështirë me zbatu, ato pika dhe ai dimension janë më të zbutura, por përsëri është shumë e vështirë që ne të ballafaqohemi, pasi është diçka tjetër kur e kemi në letër dhe tjetër është realizimi i saj në praktikë”, tha tutje ajo.
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese tregoi se Kosova ende nuk e ka Ligjin për zyrtarizimin e bashkësive fetare në vend.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që e përmendët më herët këtu nuk është i përfshirë, pasi këtu është i përfshirë një dimension tjetër. Çështja e Manastirit të Deçanit tani më te ne dhe prej nxjerrjes së atij aktgjykimi është çështje e sundimit të ligjit…realisht Kisha ortodokse serbe, po asnjë bashkësi fetare nuk është e zyrtarizuar në Kosovë. Ne nuk kemi ligj për bashkësitë fetare. Nëse ne jemi mjaft të mençur se ai plani operacional e ka rëndësinë e vet, ne e përshpejtojmë kohën për mos me bë diçka të veçantë, se kemi me u detyru…por kemi mundësi të realizojmë pjesën e zyrtarizmit dhe formalizmit të Kishës ortodokse serbe në mënyrë shumë të thjeshtë. Ne nuk kemi zbatuar, dhe kemi shumë pjesë të Kushtetutës sonë sidomos në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut që iu takojnë dhe personave juridik që nuk e kemi bërë realitet, sepse është shumë shpejt”.
Ajo potencoi se Kosova duhet që sa më parë të miratoj Ligjin për Bashkësitë fetare dhe se nëse nuk e miraton sa më shpejt mund të rrëshqas në një terren të panjohur.
“Nëse ne kemi sukses dhe dimë si pozitë dhe opozitë që t’i ndajmë çështjet nacionale, ne duhet të miratojmë sa më shpejt që është e mundur Ligjin për regjistrim të bashkësive fetare, dhe me atë ligj rregullohet formalizimi i Kishës Ortodokse serbe, dhe nëse nuk e bëjmë ne mund të rrëshqasim në një terren që nuk dimë nga do të na çojë e Ligjin për regjistrim të bashkësive fetare kemi përsëri me nxjerr, se ndodh që për një gjë tepër të rëndësishme ne nuk mund ta arrijmë në këtë rrugëtimin tjetër për BE…”, vlerësoi ajo gjatë intervistës për Telegrafin.
Juristja Mushkolaj tha më tej se me anë të Ligjit për Bashkësitë fetare Kosovës mund t’i hapen më shumë dyer për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
“Ne kemi apliku për në Këshillin e Evropës, dhe ende nuk na u ka hap dera për vazhdim të procesit, nesër KE thotë ‘ku po doni me shku, merruni me atë ligj’, për zbatim të Kushtetutës tonë, jo të ndonjë dokumenti me Serbi. Ne e parandalojmë që të rrëshqasim në ndonjë terren të panjohur dhe e rregullojmë terrenin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ku këtu ne e kemi siguruar që Serbia mos me na pengu. Kur nuk na pengon Serbia edhe shtetet tjera mosnjohëse nuk mund të ndërhyjnë”, tha ndër të tjera Mushkolaj. /Telegrafi/