Ministri i Jashtëm ukrainas Dymtro Kuleba ka thënë se është gati të takohet sërish me homologun e tij rus Sergei Lavrov nëse ka perspektiva për një “diskutim thelbësor” – por “përditësimi” i tij për bisedimet e mëngjesit të sotëm nuk është pozitiv.
Ai tha se narrativa e gjerë nga Lavrov gjatë takimit të tyre ishte se Rusia do të vazhdojë agresionin e saj derisa Ukraina të përmbushë kërkesat e tyre, përcjell Telegrafi.
Kuleba vlerësoi se nuk ishte “e lehtë” të dëgjohej Lavrov gjatë takimit të tyre – duke shtuar se furnizimet ushtarake për Ukrainën nuk u diskutuan.
Kryediplomati ukrainas theksoi se problemi më i madh me të cilin përballet vendi i tij është situata në qytetin port të rrethuar të Mariupolit, i cili është goditur nga granatimet dhe shkatërrimet intensive nga forcat ruse.
Ai tha në konferencën për shtyp se nuk ka përparim në armëpushimin dhe se Ukraina ka dy detyra – organizimin e një korridori humanitar nga Mariupol dhe arritjen e një armëpushimi 24-orësh.
“Përshtypja ime është se Rusia nuk është në një pozicion në këtë pikë për të vendosur një armëpushim”, citohet të ketë thënë ai.
Ai megjithatë shpreson se Rusia do të lejojë një korridor humanitar jashtë qytetit.
Kuleba tha gjithashtu se vendi i tij nuk mund ta ndalë luftën nëse vendi që filloi agresionin “nuk ka dëshirë ta bëjë këtë”.
Ndër tjerash Kuleba ka thënë se lista e kërkesave të Lavrov “është një dorëzim” dhe se ai shpreson se homologu i tij rus do të vazhdojë bisedën e tyre me qeverinë dhe ushtrinë ruse – dhe do të dëgjojë lutjen e civilëve ukrainas. /Telegrafi/