Telegrafi

“Nuk është aspak stresuese të luash në Camp Nou”, Dimarco dhe Barella tallen pas ndeshjes me Barcelonën

Lojtarët e Interit, Nicolo Barella dhe Federico Dimarco kanë bërë shaka pas ndeshjes ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Interi shkëlqeu në Camp Nou ndaj Barcelonës në ndeshjen e grupeve në Ligën e Kampionëve, edhe pse në fund nuk arritën fitore dhe takimi u mbyll me barazim 3-3.

Megjithatë, ky barazim i bën Nerazzurrët favorit absolut për të kaluar ‘grupin e vdekjes’, pasi i nevojitet vetëm një fitore nga dy ndeshjet e ardhshme me Viktori Plzen dhe Bayern Munich.

Loja e mirë dhe barazimi në fund ka ngritur disponimin e lojtarëve të Interit, të cilët u panë të qeshur dhe në humor pas përfundimit të takimit.

Ishte mbrojtësi Alessandro Bastoni, i cili postoi në profilin e tij privat një video, ku shiheshin dyshja italiane, Barella dhe Dimarco duke u tallur pas ndeshjes, me mesfushorin që po bartej nga mbrojtësi me një karrocë.

“Të luash në Camp Nou nuk është aspak stresuese – Nicolo, 25 vjeç”, ka shkruar Bastoni në videon e postuar në Instagram.

Ndryshe, Barella ishte i papërmbajtshëm pasi përveç golit të shënuar ishte një motor i mesfushës duke vrapuar shumë, ndal aksionet e Barçës dhe krijuar aksionet e Interit. /Telegrafi/