Të fitosh në Santiago Bernabeu nuk është diçka e lehtë, por kjo nuk vlen për Barcelonën.
Katalunasit të mërkurën fituan me rezultat 0-3 dhe eliminuan Real Madridin nga Kupa e Mbretit dhe sot (e shtunë) arritën prapë fitore në shtëpinë e Los Blancos, këtë herë me rezultat 0-1 në kuadër të La Ligas.
Rastin e parë për gol e kishte Raphael Varane (13′), pastaj provoi edhe Lionel Messi (19′), ndërsa goli erdhi nga Ivan Rakitic në minutën e 26-të.
Pas golit nga kroati ishte Messi ai që provojë të thellojë epërsinë, por Thibaut Courtois nuk u befasua dhe me rezultatin 0-1 përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë filloi me dominimin e Realit, ishte Vinicius Junior ai që kërkoi më shumë golin, por braziliani nuk u tregua konkret para portës kundërshtare.
Në minutën e 70-të Barça tregoi pak shenja rrezikshmërie me anë të Ousmane Dembele, ndërsa minutat e mbetur dominoi Reali, por mysafirët u vendosën mirë në fazën mbrojtëse.
Pas kësaj fitore Barcelona vazhdon e para në La Liga me 60-të pikë, e ndjekur nga Atletico Madridi me 50 pikë dhe një ndeshje më pak, kurse Reali renditet i treti me 48 pikë.
Në xhiron e radhës Barça luan kundër Rayo Vallecano, ndërsa skuadra nga Madridi ndaj Valladolidit. /Telegrafi/
Rakitic goal was so smooth 😻#ElClásico #ForçaBarça pic.twitter.com/VV3bVCo7JJ
— Sabique (@SabiqueAkhan) March 2, 2019