Parlamentarët ukrainas po diskutojnë reformat në ligjin për mobilizimin. Brenda pak javësh, ata mund të miratojnë një ligj të ri, i cili besohet se do të rrisë ndjeshëm numrin e ukrainasve të mobilizuar, raporton CNN.
Mungesa e municioneve dhe e ushtarëve janë temat kryesore në parlament dhe tregojnë se disponimi në vend ka ndryshuar shumë nga ngazëllimi para kundërsulmit të dështuar.
Forcat ruse po përparojnë në lindje të Ukrainës. Tre ditë më parë ata pushtuan Avdiivkan, një qytet industrial në juglindje, transmeton Telegrafi.
Në fillim të pushtimit dy vjet më parë, shumë ukrainas iu bashkuan ushtrisë vullnetarisht. Megjithatë, vullnetarët tani kanë mbaruar dhe sistemi i rekrutimit, sipas zyrtarëve të qeverisë, është jofunksional.
Burrat dhe gratë nga mosha 18 deri në 59 vjeç mund të shërbejnë në ushtri. Mobilizimi vlen për qytetarët mbi 26 vjeç.
Me reformën që po diskutohet aktualisht nga parlamentarët, mosha minimale për mobilizim do të ulet në 25 vjeç.
Sipas ligjit të propozuar, të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 60 vjeç do të duhet të regjistrojnë informacione se ku jetojnë dhe nëse punojnë.
Kjo do të krijojë një bazë të dhënash qendrore që përmban një listë të kandidatëve të mundshëm për mobilizim, e cila do të jetë e dukshme për ushtrinë. Kjo duhet të sigurojë që mobilizimi të jetë transparent dhe më efikas.
Gjithashtu, parlamentarët planifikojnë të paraqesin dënime më të ashpra për shmangien e mobilizimit, që mund të përfshijnë pezullimin e patentës së shoferit ose llogarisë bankare.
Policia raporton se proceset gjyqësore për shmangie të rekrutimit zgjidhen shumë ngadalë. Nga 2600 raste të tilla, vetëm 550 kanë marrë aktgjykim.
Për shkak të gjendjes së vazhdueshme të luftës në Ukrainë, burrave që kanë moshën për rekrutim u ndalohet të largohen nga vendi.
Përjashtim bëjnë prindërit vetushqyes dhe atletët profesionistë. Disa përpiqen të largohen nga vendi ilegalisht. Gjoba për tentativë për t’u larguar ilegalisht nga vendi është zakonisht 204 euro.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukrainës i duhen edhe 500 mijë të tjerë, dhe ky numër është bërë një temë kryesore e debatit publik.
Gjenerali Zaluzhny, i cili u shkarkua pak ditë më parë, tha se nuk do të mund ta arrinte atë numër të rekrutëve pa futur masa ‘jopopullore’.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Andriy Zagorodnyuk tha se rekrutimi është i nevojshëm.
“Ndoshta jo gjysmë milioni, por gjithsesi qindra mijëra”, tha ai.
Ai shtoi se vendimi duhet të merret në mënyrë strategjike.
Zelensky e vendos mobilizimin në kontekstin e idesë së drejtësisë.
“Pyetja është se si duket rekrutimi i drejtë. Çështja më e rëndësishme është rotacioni i njerëzve që janë të rraskapitur në front. Mobilizimi varet nga sa njerëz janë në front dhe sa janë në rezervë”, tha ai katër ditë më parë.
Sipas Zelenskyt, nga një milion ukrainas të mobilizuar, vetëm 200 deri në 300 mijë do të dërgoheshin në front. Ai tha se të tjerët do të ishin “larg luftës”. /Telegrafi/