E shtuna ishte dita e tretë e agresionit rus në Ukrainë.
Kjo ditë ka qenë një ditë lajmesh e ngarkuar me zhvillime të shumta – të cilat (disa prej tyre) do t’ua sjellim më poshtë:
Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, luftimet vazhduan gjatë gjithë mëngjesit në Ukrainë, me disa raportime për luftime në jug të vendit. Zyrtarët ukrainas thonë se Kherson, Sumy, Mykolayiv dhe Odessa janë të gjithë nën sulm;
Gjermania ka thënë se do të furnizojë Ukrainën me armë dhe raketa antitank, në një kthesë të madhe;
Për mbështetje të mëtutjeshme me armatim janë deklaruar edhe Franca, Holanda e Republika Çeke.
Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 120,000 refugjatë ukrainas kanë lënë shtëpitë e tyre dhe parashikon se katër milionë mund të zhvendosen në total;
Anija e mallrave “BalticLeader” me flamur rus u sekuestrua në Kanalin anglez nga autoritetet franceze.
Ajo mund t’i përkiste një kompanie ruse të dyshuar për shkelje të sanksioneve tregtare të lidhura me luftën në Ukrainë;
Polonia ka anuluar ndeshjen e saj për Kupën e Botës 2022 me Rusinë në Moskë muajin e ardhshëm “për shkak të përshkallëzimit të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”.
Ministri për Transformimin Dixhital të Ukrainës, Mykhaylo Fedorov, ka njoftuar krijimin e “një ushtrie specialistësh të IT-së” për të luftuar për Ukrainën në hapësirën kibernetike;
Vendet e Perëndimit bien dakord për të shkëputur bankat ruse nga SWIFT;
Analistët e kriptovalutave thonë se të paktën 9 milionë dollarë janë dhuruar deri më tani për përpjekjet e luftës në Ukrainë përmes donacioneve anonime të Bitcoin;
YouTube ka bllokuar median shtetërore ruse RT në Ukrainë dhe ka pezulluar mundësinë e saj për të fituar para nga përmbajtja e saj në platformë globalisht. /Telegrafi/