Telegrafi

Nga viti i çmendur te ofertat nga La Liga, Serie A dhe telefonata e Silvinhos – Myrto Uzuni i tregon të gjitha

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Myrto Uzuni është kthyer në idhullin e tifozëve të Granadës në Spanjë. Ai udhëheq La Liga 2 me 18 gola duke u bërë golashënuesi më i mirë deri tani.

Beratasi është shprehur se ky është viti i tij më i mirë dhe se sekreti qëndron tek regjimi dhe koha që ai i kushton futbollit.

“Mendoj se ky është viti im më i mirë. Sekreti i vetëm i imi është vetëm regjimi dhe koha ime në futboll. Në ligën spanjolle ngjiten vetëm 3 ekipe në elitë. Sot kanë ndeshje ekipet kryesore dhe jemi të bindur se mund të ngjitemi edhe më shumë në tabelë”, ka thënë fillimisht Uzuni për Oversport.

Lexo po ashtu Myrto Uzuni vazhdon me gola, statistikat e tij në fitoren e Granadas

“Gjithmonë kam pasur besim në vete dhe kjo më ka bërë të jem këtu. Gjithmonë kur futem në fushë jap maksimumin tim. Unë dhe Sadiku kemi raporte të mira dhe këmbejmë mesazhe. E uruam njëri-tjetrin për ecurinë e ekipeve. Ai është një lojtar me shumë kualitet duke parë historinë që kaloi me kombëtaren në evropian. Unë besoj se me çdo sulmues mund të përshtatem në kombëtare. Kur përfaqësuesja bën ndryshim besoj se është një gjë e mirë”.

“Besoj se me Silvinhon do luajmë në fazë ofensive dhe jo siç kemi luajtur më parë. Kur erdha te Granada kisha oferta nga Kopengahen, por zgjodha ekipin spanjoll sepse gjithmonë admiroja Mesin dhe Ronaldon. Ishte e vështirë kur erdha këtu sepse Granada kishte mungesë pikësh në La Liga”.

“Këtë vit e nisa nga 0 dhe i tregova të gjithëve se çfarë mund të bëj këtu. Në rast se një ditë largohem nga ekipi im aktual, është shumë e vështirë të zgjedh sepse kam oferta nga La Liga dhe Serie A. Tashmë jam i fokusuar te Granada dhe nuk mendoj merkaton”.

Lexo po ashtu Nga Uzuni te Prenga e Seferi, shkëlqimi i futbollistëve të Shqipërisë në Evropë

“Shqipëria ka një ekip me shumë kualitet duke parë se ku luajnë lojtarët. Duhet të besojmë më shumë te vetja. Trajneri i ri më ka telefonuar duke më uruar për paraqitjet dhe golat e shënuar nga unë. Në çdo klub ku kam luajtur kam pasur besimin e duhur nga trajnerët dhe nga stafi”.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të luaj për Kombëtaren Shqiptare. Nëse ata më thërrasin për ndeshjet kualifikuese nuk do mendohem dy herë. Këtu në Granada tifozët janë shumë të çmendur për ekipin dhe gjithmonë biletat shiten dhe stadiumi mbushet gjithmonë plot. Ata do të më ofrojnë një kontratë të re nëse ne ngjitemi në elitën e Spanjës”, përfundoi sulmuesi shqiptar. /Telegrafi/