Site icon Telegrafi

Në dy vjetorin e fitores në zgjedhje, LVV del me videomesazh – kritikon qeverisjet e kaluara

Me rastin e dyvjetorit të zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një videomesazh. Aty LVV ka renditur sukseset e pretenduara të qeverisë, derisa kanë pasur kritika për qeverisjet e subjekteve paraprake.

Sipas LVV-së qeveritë e kaluara kanë bërë skandale me vjedhje, kanë hequr dorë nga diskutimet me Serbinë.

Për ish- kryeministrin Avdullah Hoti, kjo parti thotë se ishte një kryeministër ”i paligjshëm”, që sipas tyre Gjykata Kushtetuese e ka vënë në pah një gjë të tillë.

“Nëntor 2020- Asgjë për qytetarët. Skandale me vjedhje nga buxheti shtetëror. Heqja dorë nga subjektiviteti për nënshtrimin e radhës ndaj Serbisë. Dhe, një kryeministër të paligjshëm që thoshte “Nuk keni parë gjërat tona”. Kjo faqe e rëndë e historisë tonë më të fundit u mbyll me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi qeverinë e paligjshme”.

“Dy vite më parë Kosova ishte në një udhëkryq të rrezikshëm. Nga njëra anë kishte një pandemi të keq menaxhuar me një paaftësi për të blerë vaksinat që çoi në numër rekord të vdekjeve. Dhe në anën tjetër ekonominë në rënie të lirë në mbështetjen shtetërore vetëm për një grusht të pasur pronarësh të hipermarketeve”, thuhet në videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

LVV ka theksuar se kjo parti me sloganin e nisur ka treguar se kishte simbol pastrimin e vjetër politik.

“Filloi fushata zgjedhore me sloganin “Krejt dhe Drejt”, simbol i të cilës ishte fshesa. Fshesa që kërkoi pastrimin e klubit të vjetër politik nga rrënjët e sistemit. Largimin e mendësisë qeverisëse që bashkëpunim me krimin e organizuar duke përqafuar korrupsionin. Largimin e nënshtrimit ndaj Serbisë, fundin e privatizimit, monopoleve, klientelizmit dhe nepotizmit në vend. Më 14 shkurt pra, erdhi në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me Listën Guxo”.

Ndërsa, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti janë shprehur se ka vizion zhvillimin e vendit, dhe sipas tyre paraqet një kryeministër që ndihmon qytetarët, lufton krimin e korrupsionin dhe e fuqizon shtetin.

Në dy vjetorin e fitores së 14 shkurtit, Kurti: Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona
Lexo po ashtu Në dy vjetorin e fitores së 14 shkurtit, Kurti: Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona

“Një koalicion që si asnjëherë më parë mori mbi 50 % të votës qytetarë. Me Albin Kurtin kryeministër, Vjosa Osmanin presidente e Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit. Me një kryeminsitër si Albin Kurti që ka vizion për zhvillimin e vendit. Një kryeministër që nuk nënshtrohet ndaj Serbisë. Një kryeministër që kthen dhe shtrinë sovranitetin. Një kryeministër që lufton krimin dhe korrupsionin. Një kryeministër që ndihmon qytetarët e jo një grusht të pronarëve privat. Një kryeministër që kthen besimin në shtet e në institucione, që ndan mirësinë në vend të mizorisë qeveritare prej lart, që fuqizon shpresën prej poshtë lart”, theksohet tutje në videon e LVV, në rastin e 2 vjetorit të Qeverisë Kurti.

Kjo parti është shprehur se më 14 shkurt të vitit 2021 qytetarët kanë zgjedhur një qeveri zhvillimore, e cila lufton për secilin dhe aplikon reforma të suksesshme.

“Qytetarët pra vendosën për një qeveri zhvillimore që sjell prosperitet dhe drejtësi. Dy vjet më vonë kemi një ekonomi që është ën rritje të vazhdueshme, një shtet që kryeson në rajon dhe më gjerë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, për lirinë e mediave, një shtet që nuk nënshtrohet dhe Lufton për sovranitetin e vet, një qeveri që Lufton për gjithsecilin, e sidomos për ata që kanë më së shumti nevojë, një qeveri që aplikon reforma të suksesshme për të na vënë vendin në binarët e duhur të zhvillimit dhe prosperimit të cilin e kemi synuar të gjithë. Një qeveri si Qeveria Kurti”, thuhet ndër të tjera në video./Telegrafi/

Exit mobile version